Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përmbyllet me njohje reciproke mes dy vendeve si dhe respektim të integritetit territorial të Kosovës dhe rendit kushtetues, transmeton Insajderi.
Ajo në një intervistë për “Faces of Democracy” është shprehur se dialogu do të jetë në fokus të qeverisë së ardhshme dhe se Kosova duhet të vazhdojë të tregojë gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në këtë proces të rëndësishëm.
Por, sipas Osmanit, qytetarët tanë kanë nevojë për drejtësi dhe punë, “dhe është detyra jonë të ua sigurojmë”.
“Për një kohë të gjatë, problemet ditore dhe më akute të qytetarëve të Kosovës janë lënë anash, ndërsa liderët e kaluar të Kosovës janë fshehur prapa temës së dialogut duke i maskuar dështimet brenda vendit. Nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë sërish. Qytetarët tanë kanë nevojë për drejtësi e punë, dhe është detyrë e jona t’u ofrojmë këtë. Dialogu me Serbinë, sigurisht, po ashtu do të jetë fokusi ynë dhe do të sigurohemi që shteti ynë të tregojë gatishmërinë për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në këtë proces të rëndësishëm. Procesi duhet të konkludohet me njohje të ndërsjellë dhe me respektim të integritetit territorial të Kosovës dhe rendin kushtetues”, ka thënë presidentja në detyrë.
Osmani, e cila në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 14 shkurt ka garuar me një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje, duke fituar bindshëm zgjedhjet me mbi 50 për qind të votave, ka thënë se pa pasur drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë nuk mund të ketë paqe e pajtim të qëndrueshëm.
Ajo është pyetur për deklarimet e Vasfije Krasniqi Goodmanit, që ka thënë se viktimat e luftës në Kosovë janë të zhgënjyera nga sistemi ndërkombëtar i drejtësisë.
“Unë pajtohem me Vasfijen. Sistemi i drejtësisë, si në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar, ka dështuar karshi viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Drejtësia për viktimat tona të luftës është parakusht për një paqe dhe pajtim të qëndrueshëm.
Unë besoj se llogaridhënia qëndron fort në pragun e derës së Serbisë. Derisa Qeveria serbe të mos përballet me të kaluarën e saj dhe realitetin e saj, ne nuk mund të kemi drejtësi nëpërmjet ndonjë sistemi. Është koha që udhëheqësia e Serbisë të largohet nga mentaliteti i Millosheviqit dhe të ndalojë së mohuari krimet e kryera në Kosovë apo në vendet tjera në Jugosllavinë e dikurshme”, ka thënë Osmani.
Ajo ka shtuar se do të punojë me institucionet ndërkombëtare dhe aleatët për të siguruar vaksina anti-COVID, ndërsa ka treguar se pandemia ka pasur ndikim të rëndë në sistemin shëndetësor dhe ekonomi në Kosovë, siç ka pasur edhe nëpër botë.
Ndërsa, lidhur me përspektivën e saj për të ardhmen e Kosovës, Osmani, ka pohuar se synimi është ta shoh atë si një shtet plotësisht funksional, pa korrupsion dhe me një demokraci vibruese. E po ashtu shtet që njihet nga gjitha këndet e botës./Insajderi.com