Osmani: Gjatë takimit me Lajçak kam thënë se nuk mund të themelohen organe me kompetenca ekzekutive

Osmani: Gjatë takimit me Lajçak kam thënë se nuk mund të themelohen organe me kompetenca ekzekutive

Kryekuvendarja Vjosa Osmani, ka reaguar pas deklaratës së Emisarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili gjatë qëndrimit të tij në Serbi tha se do të ishte e nevojshme që të ndryshohet edhe Kushtetuta e Kosovës, derisa përmendi themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, njofton Insajderi.

Osmani thotë se asnjëherë nuk ka thënë që pajtohet për Asociacionin të themelohet në përputhje me marrëveshjen e 2015-tës, por thekson të ketë thënë se duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin.

“Unë tani isha edhe duke bërë proces të lëshimit të një deklarate zyrtare lidhur me këtë. Unë mund tua konfirmoj si një ndër tri institucionet që është takuar me z.Lajçak që ajo që ka deklaruar në Serbi absolutisht nuk është e vërtetë. Pra e para, si kryetare e Kuvendit në asnjë moment nuk e kam thënë në takim që pajtohem që Asociacioni të themelohet edhe në përputhje me marrëveshjen e vitit 2015, por e kam thënë pikërisht të kundërtën që duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin”, tha Osmani, raporton KP.

Osmani theksoi se gjatë takimit ka deklaruar se duhet të respektohet Kushtetuta e Kosovës dhe nuk mund të themelohet asnjë pushtet i tretë e aq më pak organe me kompetenca ekzekutive. /Insajderi.com