Osmani godet Abrashin duke e kritikuar Ahmetin

Osmani godet Abrashin duke e kritikuar Ahmetin

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani e shoqëroi deputetin Arban Abrashi në debatin televiziv në Klan Kosova, duke e ndihmuar në paraqitjen e programit të Abrashit për kryetar Prishtine, por në fund të emisionit ka thënë diçka që si shënjestër pati kryetarin aktual dhe kandidatin e VV-së, Shpend Ahmeti.

Osmani tha se “nuk iu beson atyre që kandidojnë diku tjetër e më pas dalin krejt tjetërkah” duke e kritikuar faktin se Shpend Ahmeti ka kandiduar për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Por Osmani duket se e ka harruar faktin se vet Abrashi ka kandiduar për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit. Abrashi e ka fituar mandatin e deputetit, teksa më pas ka kandiduar për kryetar të Prishtinës.

“Duhet me përmend, se i kam borxh votuesve edhe të LDK-së,  që ta përfundojë këtë mandat sepse nuk iu besoj atyre lojërave që bëhen, kandidohen për diku tjetër por pastaj përfundon dikun tjetër, sikurse që e kishte Shpend Ahmeti që kandidoi për Kuvend e përfundoi në Komunë”, ka thënë Osmani, teksa Abrashi e pohonte një pretendim të tillë.

Një deklaratë e tillë erdhi pasi moderatorët e emisionit e pyeën Osmanin nëse do të pranonte të ishte nënkryetare e Komunës së Prishtinës. Osmani iu përgjigj duke thënë se kjo gjë po tingëllon si ide e mirë, por që duhet të diskutohet./Insajderi.com