Osmani ka shfuqizuar dekretet për konsujt në Pragë, Lubjanë, Shkup e Tiranë

Osmani ka shfuqizuar dekretet për konsujt në Pragë, Lubjanë, Shkup e Tiranë

Pak pas emërimit të Flakron Shalës, djalit të deputetit, Haxhi Shala, si konsull në Pragë, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, ka shfuqizuar këtë dekret dhe tri dekrete të tjera – për konsujt në Lubjanë, Shkup e Tiranë, njofton Insajderi.

Osmani bën të ditur se këtë vendim e ka marrë në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese që i ka “si dhe bazuar në praktikat diplomatike e konsullore”.

Sa i përket tri rasteve të para (Pragë, Lubjanë dhe Shkup) nga zyra e Osmanit shpjegojnë se “bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada”.

“Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte ekzekuaturë/pëlqim nga shteti pritës”.

Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, “propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga Presidenti paraprak”./Insajderi.com