Osmani: Kur e ngrisim zërin për krimet e Serbisë, dikush i quan ‘blla blla’

Osmani: Kur e ngrisim zërin për krimet e Serbisë, dikush i quan ‘blla blla’

Ushtruesja e detyrës së Presidentes dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kur disa prej tyre e ngrisin zërin për krimet e kryera nga Serbia, dikush i quan “blla blla”, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se kjo është arsyeja që para syve të botës po barazohet agresori me viktimën.

“Kjo është një pjesë e deklaratës sime në Prekaz, të cilën disa po e quajnë ‘Blla blla e pa përmbajtje’. Prandaj edhe jemi këtu si shtet, e para syve të botës po barazohet agresori me viktimën, sepse kur disa prej nesh e ngrisim zërin për krimet e kryera nga Serbia (siç kemi bërë gjithnjë), dikush i quan ‘blla blla’”, ka shkruar ajo.

“’Këtu në Prekaz, ne mund të shohim edhe dëshminë e drejtpërdrejt për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin që e ka kryer Serbia në Kosovë. Përveç sakrificës së Adem Jasharit dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes, 21 anëtarë të familjes që janë vrarë e masakruar këtu janë fëmijë, të moshave të ndryshme, ndërkaq nëse e shohim numrin e përgjithshëm, diku 2/3 e personave të vrarë e të masakruar janë gra, fëmijë e pleq, që edhe tregon për mendësinë gjenocidale dhe mendësinë shfarosëse e cila ka ekzistuar në Serbi, e për të cilën për fat të keq akoma Serbia nuk kërkon falje’”, ka thënë tutje Osmani. /Insajderi.com