Osmani: Ky shtet është ndërtuar edhe mbi gjakun e 1 mijë e 133 fëmijëve

Osmani: Ky shtet është ndërtuar edhe mbi gjakun e 1 mijë e 133 fëmijëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në seancën solemne të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka thënë se çlirimi i vendit nga okupimi serb ka qenë një rrugëtim i gjatë  me plot sakrifica.

Ajo ka thënë se institucionet nderojnë figurat politike e ushtarake të cilat kontribuan në krijimin e shtetit dhe këtu ka përmendur  ish-presidentin Ibrahim Rugova dhe komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.

Osmani ka thënë se në këtë ditë ata përkujtojnë dëshmorët si dhe civilët e vrarë nga regjimi jugosllav që udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviqi.

Shteti sipas saj është ndërtuar  edhe mbi gjakun e fëmijëve shqiptar të cilët u vranë vetëm pse i përkisnin një grupimi etnik.

“Për aq sa u rrit shtypja ndaj nesh në të njëjtin ritëm nisi të transformohet rezistenca jonë paqësore në rezistencë të armatosur. Vajza dhe djem të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bënë gardian të atdheut. Secila luftë i ka heronjtë e vet dhe liria jonë e njeh komandantin Adem Jasharin dhe ne do të nderojmë figurën e tij dhe të mijëra dëshmorëve të luftës tonë çlirimtare. Do t’i kujtojmë përherë edhe civilët të cilët ranë për lirinë tonë”

“Ky shtet është ndërtuar edhe mbi gjakun e 1 mijë e 133 fëmijëve të pafajshëm të vrarë gjatë luftës të cilët u shndërruan në lule të lirisë.  Jemi këtu jo vetëm falë sakrificës tonë por edhe sepse patëm ndihmën e miqve tanë. Bota demokratike nuk heshti ndaj vuajtjeve të populli tonë. Këto shtet mike na kanë mbrojtur nga shfarosja. Liria jonë i dedikohet edhe shteteve mike”, është shprehur ajo.

Lufta e Kosovës filloi në vitin 1998 dhe mbaroi në vitin 1999 me dëbimin e forcave serbe. /Insajderi.com