Osmani merr pjesë në Samitin e presidentëve të rajonit Brdo- Brijun në Slloveni

Osmani merr pjesë në Samitin e presidentëve të rajonit Brdo- Brijun në Slloveni

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të marrë pjesë në takimin e 10-të të procesit Brdo-Brijuni me pjesëmarrjen e Presidentëve të shteteve të rajonit, duke përfshirë presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilët janë nikoqirë të takimit, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për media të Presidencës, temat që do të diskutohen në takimin në Brdo afër Kranjit janë: rëndësia e procesit Brdo-Brijuni në 10- vjetorin e tij, adresimi i pasojave të COVID-19, rimëkëmbja ekonomike dhe plani investiv i BE, zgjerimi i BE-së si prioritet gjeostrategjik, si dhe përmbyllja e projektit të Evropës së bashkuar me përfshirjen e shteteve te Ballkanit Perëndimor.

“Në këtë Samit, Presidentja Osmani do t’i paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës lidhur me temat që do të trajtohen në këtë proces”, thuhet në njoftim.

Krahas këtij takimi, Presidentja Osmani do ta zhvillojë takime bilaterale me presidentët e Kroacisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. /Insajderi.com