Osmani në Estoni: Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave

Osmani në Estoni: Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave

“Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e parashtruara për liberalizimin e vizave, megjithëse ato ishin dyfish më shumë se për vendet e tjera”.

Kështu ka deklaruar të enjten presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Estoni ku është pritur nga Presidenti i Parlamentit, Jüri Ratas, përcjell Insajderi.

Siç njofton Presidenca, në takim Osmani ka falënderuar Ratas për mbështetjen e Estonisë ndaj Kosovës.

“Më tej, zonja Osmani ka thënë se Kosova synon të ndërtojë partneritet të qëndrueshëm më Estoninë, si një vend shembull në fushën e qeverisjes dhe demokratizimit. Presidentja Osmani ka theksuar ndër të tjera se pret mbështetjen e Estonisë në rrugën evropiane të Kosovës”, thuhet në kumtesë.

Ndër të tjera, Presidentja Osmani ka përmendur se me Estoninë, Kosova synon të thellojë marrëdhëniet bilaterale, teksa pret mbështetje edhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata multilaterale.

“Në takim me Presidentin e Parlamentit estonez, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova mirëpret thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, ndërkohë që është në procedurë riaktivizimi i grupit parlamentar të miqësisë”./Insajderi.com