Osmani në takim me Palmerin e Lajçakun kërkon vaksina nga SHBA-ja

Osmani në takim me Palmerin e Lajçakun kërkon vaksina nga SHBA-ja

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu në takim me Zëvendës-Ndihmës Sekretarin e Shtetit Amerikan, Matthew Palmer dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta ndihmojnë Kosovën me vaksina kundër COVID-19, njofton Insajderi.

Sipas njoftimit nga Zyra e Presidencës, takimi mes liderëve ishte përmbajtjesor, ku Osmani ka theksuae se institucionet e Kosovës janë të përqendruara maksimalisht në menaxhimin e pandemisë, zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si prioritete themelore të institucioneve të vendit.

“Presidentja i falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në për përkrahjen që u kanë dhënë qytetarëve të Kosovës në këtë kohë të vështirë për të gjithë ne. Ajo shprehu mirënjohjen ndaj Bashkimit Evropian për donacionin e vaksinave, dhe shprehu shpresën se edhe SHBA-të do të ndajnë një numër të vaksinave për qytetarët tanë”, thuhet në njoftim.

Pjesë e diskutimit ishte edhe dialogu Kosovë-Serbi, ku në njoftim bëhet e ditur se Presidentja ka riktheksuar qëndrimin e institucioneve se Kosova pret që procesi i dialogut të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve.

“Ne presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke, duke i respektuar këto parime dhe që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme,” ka nënvizuar Presidentja Osmani.

“Palmer dhe Lajçak, nga ana e tyre, e ritheksuan edhe një herë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, përfundon njoftimi/Insajderi.com