Osmani: Përplasjet Thaçi-Mustafa për Asociacionin janë artificiale

Osmani: Përplasjet Thaçi-Mustafa për Asociacionin janë artificiale

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se përplasjet midis presidentit të vendit, Hashim Thaçi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, janë artificiale, njofton Insajderi.

Osmani kështu u shpreh pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku tutje tha se edhe në vitin 2013 kur është nënshkruar marrëveshja, edhe në vitin 2015 kur është nënshkruar dokumenti, në të dyja rastte kanë qenë bashkë dhe e kanë përkrahur njëri-tjetrin.

“Si në vitin 2013 kur është nënshkruar marrëveshja, si në vitin 2015 kur është nënshkruar dokumenti, në të dyja rastet kanë qenë bashkë dhe këto dy palë e kanë përkrahur njëra-tjetrën. Në vitin 2015 e kam thënë në Kuvend, Thaçi i rrinte prapa Mustafës si një lloj miratimi të nënshkrimit të dokumentit  për asociacionin”, ka thënë Osmani.

“E kanë përkrahur njëri-tjetrin dhe më duket si përplasje artificiale. Pavarësisht deklarimeve ajo që mbetet e vërtetë është se krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është i rrezikshëm  për Kosovën”, ka shtuar tutje ajo.

Osmani është shprehur se nëse palët e kanë kuptuar këtë përgjatë rrugë është lajm i mirë.

“Më mirë vonë se kurrë. Të gjithë të bashkuar ta kundërshtojnë krijimin e një trupe të tillë që është prelud për ndarjen e vendit. Do ta destabilizonte vendin për një kohë të gjatë”.

“Është rrugë e keqe nëse Kryeministri Avdullah Hoti e ka nisur atë. I bëjmë thirrje që të mos ju hyjë aventurave të tilla të rrezikshme”, ka përfunduar ajo. /Insajderi.com