Osmani: Po punojmë për të siguruar kontingjentet e tjera të vaksinës

Osmani: Po punojmë për të siguruar kontingjentet e tjera të vaksinës

Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se janë duke punuar me Ministrinë e Shëndetësisë për të siguruar doza të tjera të vaksinës kundër Coronavirusit.

Ajo gjatë vizitës me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, është shprehur e lumtur që ka filluar procesi i vaksinimit dhe se gjithçka po shkon në mënyrë shembullore.

“Dua t’i falënderoj gjithë secilin nga stafi mjekësor të cilët po e organizojnë këtë proces në mënyrë kaq të mirë, të cilët angazhohen në procesin e regjistrimit, ndihma e shpejte, mjekët dhe motrat të cilët merren drejtpërdrejtë me procesin e vaksinimit. E rëndësishme është që ne të vazhdojmë t’i respektojmë masat, maskën dhe distancën dhe higjienën të cilat janë masat më të mira për të na mbrojtur nga kjo pandemi”.

“U informova lidhur me regjistrimin edhe të personelit shëndetësor dhe qytetarëve mbi moshën 80 vjeçare, inkurajoj gjithë secilin që sa më parë të jetë e mundur ta kryejnë vaksinimin. Për fat të keq numri i vdekjeve dhe infeksioneve është i madh sepse kjo vala e tretë e ka përshkruar Evropën dhe me gjerë, duhet kujdes më i madh që ta mbrojmë veten dhe njëri- tjetrin”, është shprehur Osmani./Insajderi.com