Osmani pranon urime nga Borrell, homologu i Italisë, Shqipërisë, Turqisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut

Osmani pranon urime nga Borrell, homologu i Italisë, Shqipërisë, Turqisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar telegrame urimi të shumta nga krerët e shteteve mike si presidenti italian Sergio Mattarella, shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, homologu i Shqipërisë, Ilir Meta, ai i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, përcjell Insjaderi.

Në urimin e tij, presidentit italian Mattarella, ka thënë se nën udhëheqjen e Presidentes Osmani, Kosova do të jetë më afër BE-së duke uruar që bashkunimi mes Prishtinës dhe Romës të rritet.

“Kosova do të jetë në gjendje të bëjë hapa konkret në reforma të brendshme, të cilat e afrojnë me BE-në. Presidenti italian, gjithashtu i ka uruar që bashkëpunimi në mes të Prishtinës dhe Romës të rritet dhe më tej në përputhje me angazhimin italian përkrah Kosovës, me ç’rast ka përmendur pjesëmarrjen domethënëse të Italisë në misionin e KFOR-it”, thuhet ne njoftimin për media nga precidenca.

Ndërsa, shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Borrell, ka shfaqur gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën në rrugën e integrimit evropian dhe në të njëjtën kohë ka theksuar se institucioneve të reja të vendit u mbetet të fokusohen në procesin e reformave dhe atë të dialogut.

Siç bëhet e ditur tutje në njoftim, presidenti i Shqipërisë, Meta, në urimin e tij, ka theksuar se Presidentja Osmani do t’i shërbejë me përgjegjshmëri të lartë unitetit ndërmjet të gjithë qytetarëve, frymës së konsensusit, dialogut, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe marrëdhënieve të shkëlqyera vëllazërore.

Gatishmërinë për bashkëpunimin në mes të Republikës së Kosovës dhe Turqisë në sfera të ndryshme, duke shprehur besim të plotë për të ardhmen e marrëdhënieve në mes të dy vendeve ka shprehur edhe presidentit turk Erdogan.

Derisa homologu i saj nga Maqedonia e Veriut, Presidenti Pendarovski, ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore, presidenti malazez, Gjukanoviq në telegramin e tij ka thënë se me Presidenten Osmani në krye, Kosova do ta konstituojë një epokë të re për shtetin dhe shoqërinë kosovare. Sipas tij, Mali i Zi do të jetë një fqinj i mirë i Kosovës dhe një partner i përgjegjshëm. /Insajderi.com