Osmani: Prioriteti i partive politike duhet të jetë shkarkimi i Thaçit

Osmani: Prioriteti i partive politike duhet të jetë shkarkimi i Thaçit

Për deputeten e LDK-së, Vjosa Osmani, Ramush Haradinaj është vetëm formalisht kryeministër i Kosovës, sepse sipas saj, është presidenti Hashim Thaçi ai që organizon ngjarjet historike në Kosovë.

Osmani, në një intervistë për Periskopin, Thaçin e përshkroi si një president që shkakton kriza gjatë gjithë kohës.

“Zoti Haradinaj vetëm formalisht mban postin e kryeministrit, është krejt dikush tjetër që organizon dhe realizon ngjarjet historike në vend. Në anën tjetër, ta kesh një president që vetëm prodhon kriza është jashtëzakonisht e rrezikshme për vendin tonë. Nëse zoti Thaçi vazhdon kështu, të prodhojë krizë pas krize, për interesat e tij personale, mendoj se prioriteti numër një i partive në vend, duhet të jetë se si  të largohet Hashim Thaçi”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, pavarësisht se kush do të jetë kryeministër nesër, ai do të shkaktojë situata të tilla si ajo me Gjuriqin e të dëbuarit turq, gjatë gjithë kohës.

“Pavarësisht kush do jetë kryeministër nesër, ai sërish do të tentojë të krijojë situate të tilla prapë në të ardhmen, ku në bashkëpunim me institucione të caktuara të sigurisë organizon aktivitete pa informuar Qeverinë dhe pa bashkëpunuar, kjo assesi nuk i takon një presidenti të vendit, i cili duhet të punojë për funksionimin demokratik të institucioneve e jo t’ua punojë institucioneve pas shpine dhe të prodhojë kriza që dëmtojnë Kosovën. Ne si LDK e kemi përshëndetur veprimin e policisë sepse ata kanë kryer punën e vet”, tha ajo.

  • “Patriotët e Çmendur” të emisionit InDoks, shikojeni në këtë LINK