Osmani: Të pagjeturit të jenë prioritet i dialogut me Serbinë

Osmani: Të pagjeturit të jenë prioritet i dialogut me Serbinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se fati i të pagjeturve duhet të jetë prioritet numër një në dialogun me Serbinë.

Ajo është shprehur se nuk mund të ketë paqe “përderisa nuk ka drejtësi për krimet që janë bërë në Kosovë”.

Këto deklarata presidentja Osmani i ka bërë gjatë vendosjes së luleve te Memoriali për të pagjeturit.

“Përderisa nuk ka drejtësi për të gjitha viktimat që në mënyrë aq mizore iu mor jeta dhe u morën peng dhe akoma janë të pagjetur, përderisa nuk ka drejtësi për ta është e pamundur të mendohet paqja”, ka deklaruar ajo.

“Prandaj, jo vetëm që ky duhet të jetë prioriteti numër një për ta pagjeturit në dialogun me Serbinë, por në anën tjetër duhet të jetë angazhim institucional i secilit prej nesh sepse përtej politikës e kemi obligim moral dhe Kosova nuk mund të ecë përpara përderisa kemi 1600 familje që çdo ditë e ndiejnë dhimbjen dhe mungesën e më të dashurve të tyre”, ka theksuar Osmani./Insajderi.com