Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media ku ka deklaruar se Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun. Vjosa Osmani iu ka kundërpërgjigjur duke i thënë që të mos marrë kompetenca që s’i takojnë. I ka kërkuar që të sqarojë nëse ende është pro “ideve të rrezikshme për Kosovën”. Ide për korrigjim kufijsh që dikur u prezantuan turbullt nga Thaçi, por që qartësisht kundërshtohen prejse janë prezantuar.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, duhet të na tregojë se a ka hequr ende dorë nga idetë e rrezikshme për Kosovën që kanë të bëjnë me planin për korrigjimin e kufijve në mes të Kosovës e Serbisë, ka thënë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, në një prononcim për gazetarë, njofton Insajderi.
E pyetur për konferencën e mëhershme të Thaçit, ku pos tjerash presidenti foli edhe për dialogun që e pret Kosovën me Serbinë, Osmani tha se fillimisht Thaçi duhet të sqarohet para opinionit publik se cilat janë qëndrimet e tij aktuale sa i përket korrigjimit.
“Në vend se të dalë dhe të tentojë të marrë kompetenca që nuk i takojnë, ai duhet të deklarohet njëherë e mirë për çështjen substanciale e ajo është që: A garanton që kurrë më nuk do të vë në tavolinë asnjë milimetër të territorit të Kosovë dhe të sqarojë se a ka hequr dorë nga ideja e rrezikshme për korrigjim të kufijve, sepse akoma ndodhet opinioni i tij në faqen zyrtare të presidencës, me emër e mbiemër, ku ai thekson se ‘presidentët e kryeministrat do të ndryshojë, por korrigjimi i kufijve do të ndodhë’, prandaj po supozoj se ai ende qëndron pranë kësaj ideje”, ka deklaruar Osmani.
Ajo shtoi se “Thaçi në vetvete involvon negociata sekrete me Vuçiqin dhe ka hapur tema të rrezikshme si për vendin ashtu edhe për paqen në rajon”.
Ajo ka komentuar edhe gatishmërinë e Kosovës që të rifillojë dialogun me Serbinë.
Ka potencuar po ashtu, se Kosova është për dialog, por jo për “ide të tilla që e dëmtojnë dhe janë në kundërshtim me projektin tonë”.
Ideja për korrigjim kufijsh prejse është prezantuar nga Thaçi, është shndërruar në konflikt të pakapërcyeshëm për politikën kosovare, paçka se asnjëherë nuk është bërë e ditur se çfarë nënkupton ajo.
Fillimisht, vet Thaçi që e kishte shpalosur si ide e kishte bërë në mënyrë krejtësisht të paqartë, pa konkretizime dhe pasaktësim se si mund të bëhet korrigjimi i kufijve, çfarë do të nënkuptonte ai korrigjim dhe ku janë vijat nëpër të cilat do të rivendosej një kufi potencial.
Mbi këto baza të turbullta të kësaj ideja, kanë ardhur edhe kundërshtimet e kundërshtarëve të Thaçit, pa u saktësuar përsëri se çfarë konkretisht po kundërshtohet.
Një plan konkret kurrë askush nuk e ka prezantuar dhe asnjëherë kush nuk e ka parë.
Kështu situata ka marrë deri edhe nuanca komike kur lufta mes politikanësh, bëhet për diçka që askush nuk e di saktësisht se çfarë është.Insajderi.com