
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se çfarëdo marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duhet të kalojë nëpërmjet Kuvendit, njofton Insajderi.
Këtë deklaratë Osmani citohet të ketë thënë në takimet e ndara me ambasadoren finlandeze, Pia Stjernval dhe shefin e Misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, me të cilët kishe biseduar për menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Po ashtu, është biseduar për fillimin e sesionit vjeshtor të punës së Kuvendit të Kosovës dhe fuqizimin e rolit të këtij institucioni në procesin e dialogut me Serbinë.
Sipas saj, para se të arrihet marrëveshja përfundimtare, është e domosdoshme që Kuvendit t’i dorëzohet platforma e bisedimeve për të cilën duhet të arrihet konsensus i gjerë.
Në këtë kontekst, ajo potencoi si të domosdoshme edhe transparencën përgjatë këtij procesi. /Insajderi.com