Osmani zhvillon bisedë telefonike me kryetarin e Kuvendit të Izraelit pas arritjes së marrëveshjes

Osmani zhvillon bisedë telefonike me kryetarin e Kuvendit të Izraelit pas arritjes së marrëveshjes

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, një ditë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e Knessetit (Kuvendi i Izrealit), Yariv Levin.

Osmani ka thënë se shteti i Kosovës me njohjen nga Izraeli e ka forcuar edhe më tej pozicionin ndërkombëtar, teksa ka shfaqur shpresën se veprimin e këtij shteti ta ndjekin edhe shtetet e tjera mosnjohëse.

“Në cilësinë e Kryetares së Kuvendit të Kosovës, zonja Osmani ka potencuar rëndësinë e fillimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, duke e pas parasysh faktin se legjislativi kosovar tashmë ka krijuar Grupin e Miqësisë me Izraelin”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e Presidencës.

Më tej, thuhet se në këtë bisedë telefonike, u.d. Presidentja Osmani i ka thënë Levinit se Kosova do ta mbështesë çdo iniciativë globale kundër antisemitizmit.

“Antisemitizmi nuk ka gjetur vend në Kosovë. Në këtë plan ne do të punojmë edhe me rininë kosovare lidhur me edukimin e tyre për luftën kundër antisemitizmit”, ka thënë ajo.

Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Izraelit, Yariv Levin, në fund të kësaj bisede telefonike e ka ftuar Osmanin për një vizitë në Izrael në një kohë të përshtatshme për të dy palët. /Insajderi.com