Pa ushqime e të bllokuar – Shqiptarëve në Mitrovicën Veriore nuk u lejohet të dalin

Pa ushqime e të bllokuar – Shqiptarëve në Mitrovicën Veriore nuk u lejohet të dalin

Karantinimi i tërë Mitrovicës Veriore nga organet e institucioneve serbe si pasojë e koronavirusit, i ka lënë të bllokuar shumë banorë e qytetarë. Ndër to, janë edhe disa fshatra të banuar nga shqiptarët.

F.A. banor i fshatit Cërraj të Komunës së Leposaviqit, i ka thënë Gazetës Online Insajderi se izolimi i Leposaviqit, gjegjësisht i fshatrave shqiptare si Cerraj, Bistricë dhe Koshtovë, i ka lënë ata të bllokuar dhe më vështirësi të mëdha.

“Kem mbetur të bllokuar në të gjitha fshatrat. Nuk po mundemi me lëviz askund. Markete në fshat nuk kemi ndërsa në qytet nuk po na lejojnë të dalim të furnizohemi me ushqime. Nuk kemi kundër izolimit por kemi mbetur shumë keq. Kërkojmë që magjistralja e Ibrit të lirohet për të kaluar, t’i kryejm shërbimet e nevojshme”, ka deklaruar F.A për Insajderin.

Ndërkaq, drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, u ka bërë apel banorëve të këtyre dy komunave që të respektojnë vendimin për karantinë./Insajderi.com/