Pacolli i beson PAN-it se do ta bëjë president – propozon referendum

Pacolli i beson PAN-it se do ta bëjë president – propozon referendum

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se një nga pikat e marrëveshjes me koalicionin PAN është edhe çështja e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

Pacolli në një intervistë për Klan Kosovën ka thënë se beson se PAN-i do t’i rrijë prapa marrëveshjes.

“Sa i përket kësaj pike, Kosova e ka presidentin e vet. Kosova nuk është në nguti që të ndryshojë asgjë. Por jam i bindur se ose ja vlen të thuhet se AKR-ja pos një marrëveshje që për dikasterë e ka edhe një marrëveshje për 10 pikat dhe për këto pika janë harmonizuar me miqtë ndërkombëtar do të jenë pjesë e programit të Haradinajt dhe këto pika. Një prej reformave është edhe ligji i ri zgjedhor dhe ligji për presidentit dhe në të ardhmen të zgjidhet nga populli”, ka thënë Pacolli, raporton Insajderi.

Sipas Pacollit, çështja e zgjedhjes së presidentit do të jetë një sfidë për shkak se duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta e Kosovës.

Ai e ka përmendur edhe referendumin.

“Qytetarët e Kosovës duhet të deklarohen përmes referendumit nëse presidenti duhet të zgjidhet përmes popullit ose Parlamentit”, ka thënë Pacolli.

I pyetur nëse i beson PAN-it ai ka pasur një përgjigje të komplikuar.

“Është një pikë tjetër që është ofruar nga koalicioni PAN: që një prej kandidatëve potencial për president të jetë dikush i AKR-së dhe kjo nuk mund të paragjykohet sepse varet nga votat e deputetëve. Por nëse amandamentohet Kushtetuta kjo do të bëhet”, ka thënë ai. /Insajderi.com