Pacolli çon në Prokurori dosje për krimet e luftës dhe gjenocidin serb në Kosovë

Pacolli çon në Prokurori dosje për krimet e luftës dhe gjenocidin serb në Kosovë

Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, ka transferuar në Prokurorinë e Kosovës dosjet për krimet e luftës dhe gjenocidin serb kundër shqiptarëve në Kosovë.

Këshilltari i tij, Jetlir Zyberaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ‘këto dosje paraqesin fakte dhe dëshmojnë se Serbia kishte një politikë shtetërore të orkestruar gjenocidale kundër Kosovës e cila ishte në terren e zbatuar nga ushtria jugosllave, MUP-i, grupet paramilitare të kontrolluara nga Beogradi dhe grupet e tjera lokale të armatosura serbe që kryenin spastrimin etnik dhe vrasjet masive”.

“Ne nuk mund të lejojmë rishkrimin e të kaluarës nga figura të korruptuara si Dick Marty të cilët përdorin materiale të siguruara nga MUP-i, Ushtria dhe Inteligjenca Serbe kundër Kosovës, të njëjtat institucione që vranë shqiptarët tani për të bërë drejtësi”, ka shkruar Zyberaj.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovësë ditë më parë kishte paralajmëruar se më shumë se 10 mijë dokumente me të cilat pretendohet të dëshmohet për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë gjatë luftës së fundit të viteve 1998-‘99 do t’i dorëzohen Prokurorisë Speciale.

Këto dokumente, sipas shefit të diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli dhe këshilltarëve të tij, janë siguruar së fundi përmes rrugëve ligjore nga burime të ndryshme, përfshirë edhe ato ndërkombëtare.