Pacolli: Engel, zëri më i fuqishëm për Kosovën në SHBA

Pacolli: Engel, zëri më i fuqishëm për Kosovën në SHBA

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, takoi sot kongresistin Eliot Engel, me të cilin diskutoi për shumë çështje të proceseve politike në vend.

Ai e ka falënderuar mikun amerikan Engel për programin e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit, i cili do t’i sjellë vendit tonë 49 milionë euro investime dhe shumë vende të reja pune.

“Sot, kisha një mëngjes të hershëm pune me Kongresmenin Eliot Engel, zërin më të fuqishëm dhe përkrahësin më të madh të shqiptarëve të Kosovës në SHBA. Diskutuam shumë çështje të proceseve politike nëpër të cilët po kalon vendi ynë. Mbi shtimin e përpjekjeve të reja amerikane për konsolidimin e mëtejmë të shtetit të Kosovës si nga brenda ashtu edhe nga jashtë”, shkruan Pacolli në Facebook.

Zv/kryeministri Pacolli tha se “e falënderova në veçanti kongresistin Engel për programin Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), i cili do t’i sjellë vendit tonë 49 milionë euro investime dhe shumë vende të reja pune”.

“Njeriu më meritor për shtyrjen përpara të këtij programi ka qenë Kongresmeni, Eliot Engel dhe Shefi i Stafit të Demokratëve në Komitetin mbi Marrëdhënie me Jashtë z. Jason Steinbaum. Është vërtetë kënaqësi dhe nder i madh që vendi dhe populli ynë ka miq kaq të mëdhenj dhe modest si Kongresmeni Engel”, përfundon Pacolli.