
Sekretari organizativ i Aleancës Kosova e Re, Rrahim Pacolli ka folur për paralajmrimin e dorëheqjës së deputetit të kësaj partie, Labinot Tahiri.
Pacolli ka thënë se nuk është në dijeni për paralajmërimin e Tahirit për dorëheqje nga AKR-ja, por ka shtuar se është e drejtë e cilitdo deputet, në të gjitha partitë që të japin dorëheqje.
“Në rregull është Labi, ai nuk ka dhanë dorëheqje mesa dijë unë. Por ne jemi qytetarë të lirë dhe kushdo mundet me kalu në cilin do subjekt politik. Secili deputet, jo vetëm i AKR-së, por i cilësdo parti, nëse nuk dëshiron të qëndroj në partinë në të cilën është e ka lirinë të shkoj në çfarëdo partie e cila i pëlqen, dhe nuk ka ligj që e mohon këtë të drejtë”, ka thënë Pacolli për Insajderin.
Deputeti, Labinot Tahiri gjatë ditës së djeshme vetë e ka pranuar se po e mendon largimin nga AKR-ja.
“Jam në negociata, duke diskutuar me disa miq prej VV-së. Çështja është që emri i Albinit s’përmendet askund për korrupsion, dhe unë jam person i pakorruptuar, dhe nuk dua ta kem një imazh të tillë në të ardhmen”, ka thënë Tahiri për Express.
Por përkundër se AKR-ja nuk po arrin t’i mbajë deputetët në parti, ky subjekt politik po arrin t’i mbajë postet e ministrave që janë shumë më shumë se deputetët që numëron AKR-ja. Menjëherë pas koalicionit me PDK-në, AAK-në dhe Nismën ishte larguar edhe Korab Sejdiu i cili tashmë bënë pjesë në grupin parlamentar të LDK-së.
Megjithatë AKR numëron katër ministra nga radhët e saj dhe postin e zv/kryeministrit në Qeverinë Haradinaj. Kryetari i partisë, Behgjet Pacolli mban postin e zv/kryeministrit dhe ministrit të jashtëm, Albena Reshitaj postin e ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Bejtush Gashi postin e ministrit të Brendshëm dhe ministri që është duke u përballur me drejtësinë, Valdrin Lluka në ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. /Insajderi.com