Pacolli i qëndron prapa deklaratave për vizat, ka një porosi për kolegët nga Komisioni parlamentar

Pacolli i qëndron prapa deklaratave për vizat, ka një porosi për kolegët nga Komisioni parlamentar

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se edhe pas reagimeve rreth asaj që ka deklaruar sot pas takimit me përfaqësues të zyrës së BE-së i qëndron prapa asaj çfarë ka thënë.

“Unë thjeshtë kam thënë të vërtetën”, ka thënë PAcolli, në një reagim të saj në Facebook.

E për këtë, ka thënë se janë disa sinjale që ua kanë bërë të qartë se, përkundër deklarimeve të qeverisë se Kosova ka bërë hapa pozitivë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, kushti kryesor për liberalizimin e vizave nuk është përmbushur dhe rrjedhimisht nuk do të ketë liberalizim të vizave brenda këtij viti.

 

I ka listuar në tri pika.

1. Strategjia për zgjerim e Bashkimit Evropian për herë të parë pranon se në të gjitha shtetet e Ballkanit përfshirë Kosovën ka kapje të shtetit nga pushteti. Kjo është hera e parë dhe shpresojmë të mos jetë e fundit kur BE e thotë në mënyrë direkte gjendjen reale. Ky konstatim padyshim se do të ketë ndikim në vendimet e shteteve anëtare.

2. Raporti i shkruar nga 3 ekspertë të pavarur evropianë, të deleguar nga Bashkimi Evropian, i cili u mbajt i fshehur nga publiku konstaton se institucionet e Kosovës kanë dështuar dhe nuk kanë bërë përparim sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky raport do të trajtohet me seriozitetin më të madh nga të gjitha shtetet anëtare para se të marrin vendimin për apo kundër liberalizimit të vizave.

3. Nga takimi i sotëm është e vërtetë se, për dallim prej qeverisë e cila trumpeton se liberalizimi i vizave do të ndodhë këtë vit, përfaqësuesit e zyrës së BE-së nuk kanë përmendur asnjë datë për liberalizimi e vizave. Dhe pikërisht kjo është çështja. Pra, në takim u deklarua se shpresojnë që Komisioni Evropian do të japë rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave. Nuk u tha se Kosova do të marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave por thanë se shpresojnë. Nuk u tha që do të ketë liberalizim të vizave.

Po ashtu, u tha se vendimi final varet nga shtetet anëtare dhe se qeveria dhe ne si deputetë mund të ndihmojmë qeverinë që të fillojmë lobimin tek shtetet veç e veç në mënyrë që të t’i bindim shtetet se Kosova ka bërë punë të mirë në luftimin e korrupsionit. Tani? Kjo nuk na u tha para ratifikimit të demarkacionit. Pra, në vend se ne tani ta kishim përfunduar lobimin dhe tani të kishim një listë të vendeve se cilat do të votoni për liberalizimin e vizave tani flasim për lobimin. Lobimi nuk është proces që bëhet brenda një periudhe të shkurtë.

Pacolli tutje ka thënë se të gjithë anëtarët e Komisionit të cilët kanë reaguar ndaj deklarimit tim e kanë mëse të qartë se nuk do të ketë liberalizim të vizave.

“Por nuk mund ta pranojnë tani sepse kanë votuar për faljen e territorit për vizat që nuk do t’i marrim këtë vit. Pas përfundimit të takimit gjatë një diskutimi që kisha me Blerta Deliun e pyeta nëse e ka të qartë se nuk do të ketë viza këtë vit. Përgjigja e saj dallon prej asaj çfarë ka deklaruar publikisht”, ka thënë Pacolli, përcjell Koha.net. “Përgjigja e saj gjatë diskutimit që kishim pas takimit ishte se ‘le ta marrim këtë vit njëherë vetëm rekomandimin pozitiv nga Komisioni Evropian…’. Blerta dhe anëtarët tjerë të komisionit e dinë shumë mirë që edhe nëse rekomandimi do të jetë pozitiv kjo nuk garanton se shtetet e BE-së do të votojnë për liberalizimin e vizave”, ka thënë më tej ajo.

“Prandaj, nëse ende ka dilema rreth asaj se çfarë u diskutua le të publikohet transkripti”, ka thënë ajo.