Pacolli: Kryeministri i ri i Guinea Bisao nuk ka qenë i informuar për njohjen e Kosovës

Pacolli: Kryeministri i ri i Guinea Bisao nuk ka qenë i informuar për njohjen e Kosovës

Kryeministri i Guinea Bisao, Umaro Sissoco ka deklaruar se vendi i tij nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Këtë deklaratë ai e tha gjatë një konference të mbajtur sot në Beograd, pas takimit me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, shkruajnë mediat serbe.

“Jam i befasuar me situatën sa i përket Kosovës. Vërtetë nuk kam parë asnjë dokument që flet për njohjen e Kosovës”, ka thënë Sissoco.

Lajmin për njohjen e Kosovës nga Guinea Bisao në vitin 2011 e kishte dhënë kryetari i AKR-së, tashmë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Madje ky shtet figuron edhe në listën zyrtare të shteteve që kanë njohur Kosovën, të publikuar nga MPJ.

Lidhur me deklaratën e kryeministrit Sissoco, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli në një prononcim për Telegrafin ka thënë se si duket kryeministri Sissoco nuk qenka i informuar për këtë gjë.

“Njohja ka ndodhur para 6 viteve dhe nota verbale është në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës. Ky kryeministër është i ri dhe nuk qenka i informuar”, ka thënë Pacolli.

Guinea Bisao ka qenë shteti i 74-të që kishte njohur pavarësinë e Kosovës më 10 janar të vitit 2011.