Pacolli nuk ka bërë asnjë kërkesë për kthim në Kosovë – MPJ thotë se janë shkelur procedurat

Pacolli nuk ka bërë asnjë kërkesë për kthim në Kosovë – MPJ thotë se janë shkelur procedurat

Ministria e Punëve të Jashtme, në një përgjigje dhënë Gazetës Insajderi, ka treguar se nuk kanë pasur asnjë kërkesë nga kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli për kthimin në Kosovë.

Shefi i kabinetit të ministrit të Jashtëm Glauk Konjufca, Kreshnik Ahmeti, ka bërë të ditur se në Qendrën Operative ku bëjnë pjesë edhe Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit nuk ka pasur asnjë kërkesë nga Pacolli.

Në përgjigjen e Ahmetit, thuhet se në rast se i është dhënë pëlqimi për fluturim Pacollit, atëherë kjo është shkelej e të gjitha procedurave që janë vendosur për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Për rastin në fjalë, nuk ka pasur asnjë kërkesë të adresuar tek Qendra Operative, siç ka ndodhur për të gjitha rastet deri më tash. Unë jam pjesë e të gjitha komunikimeve për kthimet e qytetarëve dhe mund të them që kërkesa për z. Pacolli nuk është adresuar në Qendrën Operative ashtu siç do të duhej. Në rast se është e vërtetë që është dhënë pëlqimi për fluturimin, atëherë kjo do të ishte shkelje e procedurave të cilat i kemi vendosur për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kreshnik Ahmeti nga MPJ.

Ardhja e Pacollit në Kosovë, duket se është bërë në prag të formimit të ‘Qeverisë Hoti’. Ndërsa gjatë ditës u raportua në medie që lejen për të fluturuar drejt Aeroportit të Prishtinës ia ka dhënë Ministria e Infrastrukturës, e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës./ Insajderi.com