Pacolli: Të gjithë po vendosin interesin personal para interesit shtetëror

Pacolli: Të gjithë po vendosin interesin personal para interesit shtetëror

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka deklaruar sërish se rrethanat aktuale nxit nevojën e bashkimit të të gjitha partive për të formuar institucionet dhe evituar ndonjë krizë më të gjatë politike.

Ai ka lënë fajtor të gjitha partitë politike në vend, që sipas tij, interesin personal e vendosin para atij shtetëror.

“Unë e di pse situata sot është bllokuar. Pse të gjithë në rend të parë po vendosin interesin e tyre personal dhe partiak dhe jo atë të Kosovës. A nuk është rotacioni interesi i Kosovës?”, ka shkruar Pacolli.

“A nuk është interesi i Kosovës bashkimi i të gjitha partive ( pa marrë parasysh blloqet) , sot dhe menjëherë, për të krijuar qeverinë gjithëpërfshirëse , çka unë po e propozoj? Pra, krijimi i një qeverie me bazë të gjerë, ku minoritetet nuk përcaktojnë fatin e shtetit, të ekonomisë, të ushtrisë sonë?”, ka shtuar Pacolli.

Pacolli ka thënë se çdo ditë e humbur pa institucione dëmton vendin.

“Qeveria, institucionet duhet të krijohen tani. Menjëherë, mos të përsëritet gjëndja e 2014.  Nesër është vonë. Koha nuk pret, shikojeni pak gjëndjen sociale në Kosovë! A nuk po dëmtohet Kosova, nëse zhagiten proceset si po bëjnë të gjithë?  Çdo ditë që kalon, Kosova humb miliona.”

Pacolli ka kërkuar së fundi “lëvizje politike” nga Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK për formimin e Qeverisë, duke mos përjashtuar mundësinë që nëse një gjë e tillë dështon, ta përkrahë Ramush Haradinajn dhe koalicionin PAN./Insajderi.com