Pacolli: Të respektohet vendimi i Kushtetueses, ashtu siç bëra unë

Pacolli: Të respektohet vendimi i Kushtetueses, ashtu siç bëra unë

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, njëherësh edhe kryetar i Aleancës Kosova e Re, ka komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme, lidhur me moscertifikimin e kandidatëve për deputetë, të cilët kishin probleme me ligjin, përfshirë edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njofton Insajderi.

I ftuar në emisionin “Kallxo Pernime”, Pacolli thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet, ashtu siç ka vepruar ai kur ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit, pasi që Kushtetuesja ka thënë se zgjedhja e tij si president ishte bërë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

“Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ne duhet ta dimë secili, që t’i nënshtrohemi ligjit në Kosovë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është diçka që pa asnjë koment, duhet të respektohet. Po e them këtë, sepse vet e kam bërë. në momentin e parë që kam dëgjuar se ka një vendim për mua, unë jam larguar nga zyra. Pres që njerëzit që duan Kosovën, që synojnë të jetë prijës politikisht, duhet t’i nënshtrohen këtij vendimi”, është shprehur Pacolli.

“Nuk i njoh gjykatësit e gjykatës kushtetuese dhe nuk e njoh ndërlidhjet e tyre me liderët partiak. Nuk e di si mund ata influencohen. Por a është e mundur të influencohen, por në Kosovë gjithçka ka qenë e mundur dhe mund të ndodhë edhe kjo. Por mund të ndodhë që të mos jenë influencuar fare”, ka thënë tutje ai. /Insajderi.com