“Padia për gjenocid ndaj Serbisë duhet të jetë e përgatitur mirë”

“Padia për gjenocid ndaj Serbisë duhet të jetë e përgatitur mirë”

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka përshëndetur fillimin e punës nga ana e Qeverisë së Kosovës për përgatitjen e padisë ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocid në Kosovë, njofton Insajderi.

Nga kjo qendër janë shprehur se “ndajmë të njëjtat pikëpamje me Qeverinë e Kosovës se padia për gjenocid duhet të jetë e përgatitur mirë, në mënyrë që të dalim fitues nga ky proces për arritjen e drejtësisë për viktimat e gjenocidit në Kosovë”.

“Arritja e drejtësisë për gjenocidin në Kosovë do t’i kontribuojë paqes në këtë pjesë të botës dhe do të jetë një kontribut për parandalimin e akteve të tilla të shëmtuara në të ardhmen anekënd botës. Qendra ‘Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur’ do të angazhohet në vazhdimësi për të dhënë kontributin e vet maksimal në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e kësaj qendre.

Në një konferencë për medie, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë prezantimit të plan-programit qeverisës, njoftoi edhe për fillimin e punës në padinë ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë për periudhën e luftës së fundit, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë./Insajderi.com