Mbi 50 mijë euro është shuma që paditësi Adil Morina po kërkon nga Kompania e Ujësjellësit Rajonal (KUR) “Prishtina”, për kompensimin e dëmit për të cilin pretendon se i është shkaktuar nga kjo kompani me vendosjen e gypit të ujit në pronën e tij.
Sipas padisë së ushtruar në shtator të vitit 2014, në vitin 2000, e paditura ka bërë instalimin e gypit të ujit nga Liqeni i Badovcit, i cili furnizon qytetin e Prishtinës, ku sipas padisë, paditësit i ka shkaktuar dëm material duke e privuar nga e drejta e shfrytëzimit të pronës në sipërfaqe prej 2 ha, pa ndonjë kompensim.
Lidhur me këtë rast, të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca gjyqësore ku përfaqësuesi i paditësit, Ahmet Morina, ka deklaruar se në vitin 2014 ka ngritur padi, pasi që siç tha ai, e paditura i kishte penguar në pronë, përkatësisht në ndërtimin e shtëpisë ku gypi kryesor i të njëjtës kalon nëpër oborrin e tyre.
Gjithashtu, ai tha se mbetet pranë asaj që t’i kompensohet dëmi me arsyetimin se vëllai i tij nuk kishte mundur ta ndërtojë shtëpinë në atë pjesë dhe se i njëjti ishte ende me qira.
“Është e rëndësishme me cek se jemi 5 vllazni dhe kur janë nda pronat është vërejte se nuk ka vend për me ndërtu shtëpinë dhe i njëjti është ende me qira edhe sot e kësaj dite, ajo mundet me u vërejt edhe nëse del në vend të ngjarjes dhe ne mbesim prapa asaj që me u kompensu dëmi pasi që vëllai është ende me qera” tha përfaqësuesi i paditësit Morina.
E në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës, Armend Maka, tha se e paditura nuk e kishte vendosur gypin e ujit të cilit i referohet paditësi, por se sipas tij, atë gyp e kishin vendosur banorët së bashku me KFOR-in, e cila siç tha ai ka qenë emergjente për ujin e pijshëm.
Gjithashtu ai ka theksuar se gypi ishte vendosur në vitin 2000, dhe paditësi kishte qenë i informuar.
Ai po ashtu ka thënë se padia e paditësit është ushtruar jashtë afatit ligjor.
E këtë nuk e ka mohuar as përfaqësuesi i paditësit, i cili tha se është e vërtetë se gypat i kishte vendosur KFOR-i, po siç tha ai, tani kompetent për këtë është KUR “Prishtina”.
Ai tha se për këtë kishte bërë ankesë në këtë kompani, por asnjëherë nuk kishin marr përgjigje.
Gjithashtu, ai tha se vitin e kaluar e paditura kishte ndërhyrë në disa pjesë dhe siç tha ai e njëjta e kishte larguar gypin pjesë-pjesë, mirëpo jo në pronën e tij.
Ndërsa përfaqësuesi i të paditurës tha se nuk është në kompetencë të të KUR-it që të bëjë devijimin e gypave, por sipas tij, paditësi këtë kërkesë duhet ta drejtoj tek organet kompetente, gjegjësisht te Komuna e Prishtinës.
Pas kësaj, gjykatësi Alajdin Tërshnjaku seancën e radhës e ka caktuar për 8 janar 2020, prej orës 9:00.
Sipas padisë së ushtruar më 2 shtator 2014, KUR “Prishtina”, në vitin 2000, ka instaluar gypin e ujit në pronën e tani paditësit Adil Morina, i cili nga Liqeni i Badovcit e furnizon qytetin e Prishtinës.
Siç thuhet në padi, me vendosjen e këtij gypi tani paditësit i është shkaktuar dëm material, duke e privuar nga e drejta e shfrytëzimit të një pjese të ngastrës me sipërfaqe prej 2 ha, pa ndonjë kompensim.
Në padi thuhet se paditësi ka bërë kërkesë për kompensimin e dëmit te tani e paditura, mirëpo i njëjti nuk kishte marr asnjëherë përgjigje.
Me anë të kësaj padie, ai po kërkon nga gjykata që ta detyroj të paditurën që atij t’ia kompensoj dëmin e shkaktuar nga privimi i të drejtës së shfrytëzimit të pronës, në vlerë prej 51,000.00 euro, dhe atë me kamatë ligjore.