Pal Lekaj ankohet në Bruksel se Serbia po i detyron qytetarët e Kosovës t’i ndërrojnë targat

Pal Lekaj ankohet në Bruksel se Serbia po i detyron qytetarët e Kosovës t’i ndërrojnë targat

Në Bruksel është mbajtur të hënën takimi i dytë të Këshillit Ministror të Komunitetit të Transportit në Bruksel, ku pjesëmarrës nga Kosova ishte ministri i transportit, Pal Lekaj.

Me këtë rast, Lekaj i njoftoi anëtarët tjerë për ratifikimin e Traktatit të Komunitetit të Transportit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe zbatimin e saj nga autoritetet vendase.

Krahas kësaj, Lekaj informoi përfaqësuesit e shteteve të tjera në këtë takim për pengesat që Serbia po i bën përkundër marrëveshjeve, siç është ky traktat. Në mes tjerash, ministri theksoi se “praktikat e autoriteteve serbe për ndërrimin e targave të qytetarëve të Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë, mospranimi i certifikatave që lëshohen nga autoritetet e Kosovës, duhet të ndërpriten menjëherë”.

Ai po ashtu kërkoi nga Komisioni Evropian që të ndërmarrë masa urgjente për rregullimin e transportit të udhëtarëve dhe mallrave për operatorët kosovarë, me të gjitha shtetet nënshkruese të Traktatit.

Gjithashtu u diskutua për krijimin e lehtësirave në pikëkalimet kufitare dhe sigurinë në rrugë, të cilat burojnë nga deklaratat e Lubjanës, si dhe u miratua Deklarata e Përbashkët për një Strategji të re Hekurudhore në Ballkanin Perëndimor, e cila ka për synim përmirësimin e shërbimeve të transportit ndërkombëtar hekurudhor për mallra dhe pasagjerë, brenda dhe përgjatë Ballkanit Perëndimor.

Në këtë mënyrë, Kosova po merr pjesë aktivisht në përcaktimin e politikave të transportit rajonal, duke u bërë edhe vendimmarrëse e barabartë me vendet e tjera të rajonit.

“Prioriteti ynë vazhdon të mbetet kompletimi i vendit me infrastrukturë moderne rrugore dhe hekurudhore, krijimi i lehtësirave të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave dhe në këtë mënyrë edhe faktorizimi i Kosovës në fushën e transportit rajonal dhe ndërkombëtar”, ka thënë pos tjerash ministri Pal Lekaj.