Pallaska: Ndjekja penale për dosjet e rrjedhura duhet të nis në Zyrën e Prokurorit të Specializuar

Pallaska: Ndjekja penale për dosjet e rrjedhura duhet të nis në Zyrën e Prokurorit të Specializuar

Avokati, Dastid Pallaska, përmes një bisede të publikuar me djalin e tij 11 vjeçar, ka shpjeguar qëndrimin e tij për arrestimet e krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës dhe publikimin e dosjeve të Gjykatës Speciale.

Ai tha se, “Pyetja e tij e parë ( e 11 vjeçarit ) ishte se çfarë kishin bërë të arrestuarit. I thash se të arrestuarit dyshoheshin se kishin penguar drejtësinë duke publikuar dokumente sekrete të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë. Pas kësaj, ai shkurt më pyeti se a kanë qenë të arrestuarit punëtorë të prokurorisë”, ka treguar rrjedhën e bisedës Pallaska.

Pallaska, shtoi se, “Të gjithë e kuptojmë apo duhet ta kuptojmë se personat përgjegjës për rrjedhjen e dosjeve të klasifikuara – që mund të rrezikojnë sigurinë e dëshmitarëve dhe integritetin e procedurave penale që pritet të zhvillohen para Dhomave të Specializuara – duhet të ndiqen penalisht.

Por, sipas tij, “Ndjekja penale është e pakuptimtë dhe po aq jo efektive nëse nuk fillon nga vetë Zyra e Prokurorit të Specializuar, nga ku pretendohet se kanë rrjedhur dosjet e klasifikuara”.

Me urdhër të Gjykatës Speciale më 25 shtator është arrestuar kreu i OVL të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe nënkryetari, Nasim Haradinaj. /Insajderi.com