fbpx

Palmer gjatë fjalimit në Ditën e Çlirimit kërkon stabilitet energjetik në Kosovë

Palmer gjatë fjalimit në Ditën e Çlirimit kërkon stabilitet energjetik në Kosovë

Gjatë fjalimit të tij në sheshin e qytetit të Prishtinës me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të qytetit dhe përfundimit të luftës, Mattheë Palmer, Zëvendës Sekretar i SHBA-ve, thekson se një ndër sfidat kryesore të shtetit të Kosovës është krijimi i stabilitetit energjetik.

Kjo edhe njëherë rikonfirmoi përkushtimin e SHBA-ve për stabilitet energjetik në Kosovë, në periudhën kur shumica e vendeve në rajon po ndërtojnë termocentrale të reja nga qymyri dhe vendi ende përballet me mungesë të dukshme të tij.

‘Liderët duhet të synojnë zhvillimin ekonomik dhe të kenë cak sfidat, duke krijuar një stabilitet energjetik dhe një klimë ku ndërmarrësit e rinj mund të lulëzojnë’, tha Palmer gjatë fjalimit të tij në sheshin e kryeqytetit të Kosovës.

Kjo është hera e dytë që Palmer deklarohet rreth ndërtimit të termocentralit.

Përveç Palmer, edhe ambasadorë të ndryshëm të SHBA-ve ishin deklaruar në përkrahje të termocentralit të ri, për ndërtimin e të cilit investitori ContourGlobal dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik kanë angazhuar gjigantin Amerikan, General Electric.

Ndryshe, më herët Palmer kishte thënë se termocentrali ka përkrahje të fortë nga SHBA-të. ‘Absolutisht, ne jemi të përkushtuar për realizimin e projektit’, kishte deklaruar ai pas pyetjes nëse SHBA-të mbështesin Kosovën e Re.

Palmer kishte deklaruar se projekti i Kosovës së Re do të sigurojë energji më se të nevojshme dhe pandërprerë për Kosovën si dhe do të ketë ndikim pozitiv në mjedis.

Palmer ishte shprehur i lumtur që një kompani Amerikane po drejton projektin e Kosovës së Re.