Pamje të veturave pas sulmit ndaj Policisë në Gjakovë

Pamje të veturave pas sulmit ndaj Policisë në Gjakovë

Në mesnatë në qytetin e Gjakovës policia është përfshirë në një përleshje me katër persona me maska gjatë kohës kur këta të fundit kishin thyer një dyqan.

Insajderi ka siguruar një fotografi të veturës ku katër personat e dyshuar kishin përdorur për të kryer vjedhje. Vetura e tipit “Fiat” dhe me targa të huaja besohet të jetë përdorur për vjedhjen e një marketi në Gjakovë në sheshin “Agron Rama”.

Po ashtu Insajderi sipas burimeve të saj ka arritur të kuptoj se personi i arrestuar është M.Raifi i vitit 1995.

Policia e Kosovës nuk ka konfirmuar asgjë lidhur me identitetin e personit të arrestuar duke thënë se Policia është në fazën fillestare të hetimit.

“Njoftoheni se të gjitha informacionet të cilat janë për publikun DRP/Gjakovë i ka dhënë përmes komunikatës për shtyp, rasti është i natyrës së ndjeshme dhe është duke u hetuar intensivisht dhe momentalisht policia nuk mund të ofron informacione shtesë”, thuhet në një përgjigje për Insajderin

Më herët Policia e Kosovës kishte njoftuar se gjatë ndjekjes ka bllokuar rrugën, ndërsa të dyshuarit kanë aksidentuar veturën e policisë dhe kanë filluar të ikin. Policia me ketë rast kishte përdorur armët e zjarrit.

Po ashtu ishte njoftuar se edhe tre persona të tjerë vazhdojnë të jenë në arrati nga Policia e Kosovës.

“Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje dhe në realizim të detyrave dhe përgjegjësive ligjore, iu janë kundërpërgjigjur sulmeve me armë zjarri dhe njëkohësisht kanë vazhduar ndjekjen e personave të dyshuar. Në ndjekje e sipër në rrethana mjaft të rrezikshme zyrtarët policorë pas dy kilometrash kanë arritur ta ndalojnë dhe njëherit kanë arrestuar njërin nga të dyshuarit (M.R. kosovar/shqiptar i lindur 1991), ndërsa tre persona tjerë të dyshuar gjenden në arrati dhe në kërkim policor”, thuhet në komunikatën e policisë.