Pandemia pamundësoi faljen e namazit – besimtarët të pakënaqur me masat

Derisa ora shënonte 06:03 minuta kur edhe ishte koha për faljen e namazit të Kurban Bajramit përveç ezanit, në xhamitë e kryeqytetit nuk pati besimtarë për ritualet fetare.

Pandemia pamundësoi faljen e namazit – besimtarët të pakënaqur me masat

Për shkak të pandemisë COVID-19 dhe rrezikut të përhapjes së saj, në Kosovë falja e namazit të festës së Kurban Bajramit nuk u lejua të bëhet nëpër xhamitë e Kosovës.

Derisa ora shënonte 06:03 minuta kur edhe ishte koha për faljen e namazit të Kurban Bajramit përveç ezanit, në xhamitë e kryeqytetit nuk pati besimtarë për ritualet fetare.

Kishte qytetarë që përkundër paralajmërimeve se nuk do të falet namazi kishin ardhur përsëri tek dyert e xhamisë.

Njëjtë ka bërë edhe Riza Syla, i moshuari që për 50 vjet çdo namaz të Kurban Bajramit e ka falur në xhaminë “Sulltan Mehmeti” në Prishtinë.

Kishte ardhur për t’u falur por ai nuk u lejua ta kryejë këtë obligim.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kishin dal për t’u kujdesur për zbatimin e masës për mos falje të Kurban Bajramit.

“Kam ardhur, por nuk qenka askush. Këtë vendim nuk po e shoh të mirë shkurt edhe shqip ku e gjetën ditën e Bajramit me i vendos këto masa me i mbyll xhamitë, nga erdhi kjo…me çka po e shërojnë këtë virus? Me paracetamolë. Çfarë virusi është ky? Virus dhe grip i përgjithshëm… Në këtë xhami qe 50 vite falna”, thotë ai.

E pa xhemat falja e Kurban Bajramit u bë edhe në xhaminë në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Interesimi për t’u falur në xhami nuk kishte munguar por ishin anëtarët e Këshillit të kësaj xhamie që iu kishin treguar besimtarëve se kjo nuk ishte e lejuar.

Idriz Pllana, njëri nga anëtarët e Këshillit në xhaminë në “Dardani” e mirëpret vendimin për ndalimin e faljes së namazit të Kurban Bajramit në xhami, kjo pasi sipas tij gjendja me COVID-19 në vend po rëndohet nga grumbullimet e shumta.

Si pasojë e rritjes së madhe të numrit të personave të vdekur nga COVID-19 si dhe të infektuar nga kjo pandemi gjatë ditëve të fundit, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava pezulloi faljen e namazit të Bajramit si dhe të gjitha ritet fetare për 10 ditët e ardhshme në të gjitha xhamitë e vendit./Insajderi.com