Para në këmbim të videos intime – gjykata merr vendim për 17-vjeçarin

Para në këmbim të videos intime – gjykata merr vendim për 17-vjeçarin

Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka përcaktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 17-vjeçarin David Kovaçi, i cili akuzohet se kërcënoi me mesazhe të miturën Adela Çaçi. Të dy të rinjtë prej disa muajsh kishin një lidhje dashurie, ndërsa ndërprerja e saj ka bërë që ish-i dashuri t’i kërkonte para për të mos i publikuar videot intime që kishte në telefon. Mirëpo, vetë 17- vjeçari ka mohuar akuzën e shantazhimit me video.

Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë, pasi në këtë qytet është një nga pesë qendrat e paraburgimit për të mitur. Informacionet për zhvillimin e seancës gjyqësore kanë qenë shumë të rezervuara, për shkak edhe se bëhet fjalë për të mitur, ndërsa mësohet se akuza që rëndon mbi 17- vjeçarin Kovaçi është ajo e përndjekjes.

Menjëherë pas arrestimit nga Policia e Beratit, çështja i kaloi Prokurorisë së Vlorës, ku ka edhe një sektor për të mitur. 17-vjeçari do të mbetet tashmë në burg deri në përfundim të hetimeve që kanë nisur për ngjarjen e rëndë, ndodhur në Berat. 16-vjeçarja Adela Çaçi i dha fund jetës duke pirë pesticide, pas shantazheve, sipas Policisë, për publikimin e një videoje nga ish-i dashuri i saj.

Ky i fundit mësohet se i ka kërkuar disa herë një shumë prej rreth një mijë lekësh të rinj, në të kundërt do të publikonte videon. 16-vjeçarja, në kushte të rënda psikologjike, piu pesticide. Ajo u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin e Beratit dhe më pas u nis drejt kryeqytetit për ndihmë më të specializuar, por disa orë më vonë ndërroi jetë. Banonte në fshatin Duhanas, ndërsa shkollën e mesme e kryente në qytetin e Beratit, në të njëjtën shkollë ku studion dhe 17-vjeçari i arrestuar.

Rasti i dytë në të njëjtën shkollë

Të dy adoleshentët ishin nxënës në Shkollën e Mesme Profesionale të Ekonomisë dhe Turizmit “Kristo Isak”, në qytetin e Beratit. 16-vjeçarja prej disa ditësh kishte shfaqur një sjellje të pazakontë. Madje, një ditë para se të kryente vetëhelmimin, ajo kishte vënë në dijeni dhe prindërit për situatën që po kalonte. Adela ishte një nga nxënëset më të mira të shkollës. Drejtori i shkollës, Ferik Koçi, ka deklaruar se 16-vjeçarja nuk kishte shfaqur asnjëherë probleme apo shqetësime te mësuesit dhe psikologet e shkollës. Koçi thotë se i arrestuari shantazhues i Adelës është në klasë tjetër. I riu, banues në lagjen “Kushtrimi” të qytetit të Beratit, u arrestua pas zbulimit të mesazheve në telefonin e viktimës. Ky është rasti i dytë i rëndë, ku një nxënës i kësaj shkolle në Berat kryen vetëhelmim. Rasti i kaluar bënte fjalë për një 17- vjeçar, i cili ishte viktimë i ngacmimeve. Për shkak të bullizmit, adoleshenti në kushte të rënda psikologjike i dha fund jetës duke pirë fostoksinë.