fbpx

Paradoksi ballkanas dhe heqja e valles nga BE

Paradoksi ballkanas dhe heqja e valles nga BE

Shpirti evropian, i pasuruar gjatë 70 viteve të fundit me të arriturat e jashtëzakonshme sidomos në krijimin e një paqeje afatgjate mes popujve të Evropës Perendimore, rritjen e mirëqenies ekonomike e sociale, liri maksimale në kuadrin e të drejtave të njeriut, liri të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, e ka bërë Bashkimin Evropian, njëren ndër organizatat më simpatike, dhe njëkohësisht më paqësore në botë.

Meqenëse jam një eurofil, e kam të vështirë të shoh dhe të pranoj rrëshqitjen e saj drejtë një amullie institucionale dhe konceptuale, organizative dhe përmbajtjesore, mungesë të fuqive rinovuese dhe rritjes së atyre vetshkatërruese. Megjithatë, realitetet e reja të krijuara në planet dhe në Evropë, domosdoshmërisht, e qojnë atë drejtë asaj rruge që as evropianët nuk e duan dhe as unë por edhe as pjesa tjetër e Evropës që synon të bëhet pjesë e saj, nuk e don, mirëpo, që është bërë realitet me kohën, kjo gjë tashmë veç po shihet.

Këtë proces (duke anashkaluar të gjithë faktorët tjerë), mund ta vëreshë lidhur me qasjen e saj për shtetet e Ballkanit në përgjithësi dhe Ballkanit Perendimor në veçanti, e sidomos në rastin e Kosovës.

Politika e Jashtme dhe e Sigurisë e Bashkimit Evropian ka qenë gjithherë e cunguar për shkak të specifikave që ka BE-ja si organizatë. Kjo ka bërë që në Ballkanin Perendimor të kemi zhvillime të tilla që strategjitë politike të BE-së në raport me shtetet e Ballkanit Perendimor të dështojnë gati në tërsi.

Bashkimi Evropian, ka dështuar të njoh pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe si e tillë ka dështuar të ndikoj dhe të krijoj një paqe afatgjate në rajon.

Gjersa BE nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe ta trajtoj si të tillë, nuk ka mundësi ti zbatoj politikat e saja paqësore në Ballkan, nuk ka mundësi të ofroj perspektivë evropiane, nuk ka mundësi të ndalë veprimet destruktive të Serbisë në raport me Kosovën dhe nuk ka mundësi të ndalë ndikimin e fuqive tjera siç është Rusia.

Dhe, pikërisht zhvillimet e reja në Kosovë e relativizojnë në maksimum fuqinë edhe ashtu të dobësuar të BE-së në raport me Ballkanin.

Mosdhënia e mundësisë për qytetarët e Kosovës për të lëvizur lirshëm në hapësirën e Schengenit, është një dështim tjetër i radhës i BE-së për të cilin më së shumti do të paguaj vet BE. Them kështu sepse zhvillimet e reja në Ballkan, e njëri ndër faktorët e krijimit të një ambienti deprimues për popullatën dhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës është edhe kjo, BE-së do ti kushtojnë shumë, sidomos në aspektin e aktivizimit të fuqive politike për rivendosjen e një rendi të ri mes Kosovës dhe Serbisë, sepse rendi aktual veç dështoi.

Dështimi i Kosovës të anëtarësohet në Interpol, nuk është veç dështim i Kosovës, por edhe i Bashkimit Evropian dhe kjo është dashur të ketë vetëm një konsekuencë: Dërgimin e Kosovës në zgjedhje të reja. Meqenëse, Kosova për momentin më së paku ka nevojë për zgjedhje të reja, për arsye të fillimit të disa proceseve të rëndësishme të qeverisjes dhe që duhet të realizohen e që po japin rezultatet e tyre të para pozitive, për arsye se jemi (apo është dashur të jemi) në fund të përmbylljes së dialogut me Serbinë, dorëheqja e Qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje të reja është dashur të menjanohet.

Dhe, Qeveria në vend që të ndërmarrë masa të shpejta për rikonsulidimin e qëndrimeve të saja në raport me dialogun, në vend që të merret me analizimin e ideve të reja për përmbylljen e dialogut, e që qojnë drejtë një paqeje afatgjate mes shqiptarëve dhe serbëve, në vend se të krijoj një klimë të unifikimit të qëndrimeve mes Qeverisë, Presidentit, opozitës dhe shoqërisë civile dhe të dalë me qëndrim të qartë për të gjetur zgjidhje në interes shtetëror dhe nacional, ajo futet në istikamet e saja të krijuara enkas për të kundërshtuar çdo që qon kah zgjidhja, pa ofruar asnjë alternativë tjetër se si të dilet nga kjo situatë.

Në vend të kësaj dhe për të marrë komplet vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, në mënyrë që të ulet presioni mbi të për shkak të dështimit në Interpol dhe që të mos shkohet në zgjedhje të reja, pa analizuar mirë konsekuencat politike, ndërmerr hapin e vënies së takses prej 100% për mallrat që vijnë nga dy shtete që nuk na kanë njohur.

Një vendim i madh i Qeverisë së Republikës sonë, një vendim patriotik, një vendim i shumpritur, por një vendim i predisponuar që të dështoj.

Tashmë situata është duke dalur nga kontrolli dhe as Prishtina, as Beogradi por as Brukseli nuk janë të përgatitura ta mjeshtërojnë menjëherë dhe siç duhet këtë situatë. Dhe, orteku i problemeve mes dy shteteve fillon mu këtu, e që edhe BE do ti bartë pasojat.

Fillimi i kundërreagimit serb, mbetet i njëjtë, qyqar dhe i prapambetur: Shpërbërjen e institucioneve legale të dalura nga zgjedhjet e lira lokale, shpërbërja e administratës, pushtetit gjyqësor dhe fuqizimi i strukturave paralele (të cilat asnjëherë nuk u shpërbënë përkundër arritjes së një marrëveshje për këtë qëllim) që qojnë në një situatë paradoksale për kohën, paradoksale kur po mundohet të gjendet një zgjidhje afatgjate dhe paradoksale sepse nuk ka fuqi as BE ta ndalë këtë trend negativ.

Pasojat do të jenë evidente për një kohë të gjatë, natyrisht nëse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk lëvizë nga pozicionet e saja. Mirëpo, pikërisht këto pasoja duhet të jenë shenja sinjalizuese për Qeverinë se dialogu në këtë fazë me gjitha të rejat e tij që ka sjellur në tavolinë, ia vlen të diskutohet, ose në të kundërten premtimin e bërë dje, për një Shqipëri të Bashkuar, mos të presin 6 muaj, por të filloj ta realizojnë menjëherë.

Rrethanat kanë ndryshuar, ndrysho edhe ti!

Hamdi Reqica