Paralajmërimi i LDK-së për prishje të koalicionit me VV-në, Mustafa: Do të takohem me Kurtin

Paralajmërimi i LDK-së për prishje të koalicionit me VV-në, Mustafa: Do të takohem me Kurtin

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka reaguar pas deklaratës së Senatorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, (ShBA), David Perude se prezenca ushtarake në Kosovë duhet të rishqyrtohet.

Mustafa përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se marrëdhëniet e ShBA-së kanë hyrë në një fazë shumë delikate dhe kritike.

Mustafa përmes këtij postimi ka dal kundër vendimit të, partnerit të tij të koalicionit, liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh edhe Kryeministër i Kosovës, lidhur me heqjen e taksës 100 përqind për produktet serbe, shkruan Gazeta Isnajderi.

“Marrëdhëniet me SHBA-në kanë hyrë në një fazë shumë delikate por edhe kritike. Deklarata e Senatorit Perdue flet qartë se ku jemi. S’ka tarifë as reciprocitet që vë në peshojë marrëdhëniet me aleatin tonë kryesor”.

“Si kryetar i LDK-së jam deklaruar qartë për heqjen e pakusht të tarifës , ndërkaq që reciprociteti të dakordohet me SHBA dhe BE, varësisht nga sjellja e Serbisë. Ky eshte qendrimi dhe zëri i LDK-së”, ka shkruar Mustafa.

Tutje Mustafa ka bërë të ditur se “Do të bashkëbisedojë me Kryeministrin Kurti, si partner i koalicionit, dhe si LDK në ditët në vijim do ti bëjmë të qarta veprimet të cilat e ruajnë partneritetin dhe miqësinë me SHBA-të”.

Ndër tjera, Mustafa bërë të ditur se momentalisht në Uashington ka dërguar një zyrtarë të partisë së tij, për të biseduar me të Dërguarin Speciale për Dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.

“Jam në komunikim me Ambasadorin Grenell. E kam dërguar një zyrtar të lartë të LDK-së të bisedojë drejtpërdrejti me te, të informohet për takimin e fundit të Presidentit Thaçi dhe Vuqiç në Uashington dhe t’ia prezantojë qëndrimet e LDK-së”, ka shkruar Mustafa.

Senatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David Perdue ka konfirmuar rrezikun që Kosova mund ta ketë këtyre ditëve.

Perdue në një shkrim të bërë në rrjetin social Tëitter, ka shkruar se për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, nëse Kosova nuk është e përkushtuar për paqe, atëherë SHBA-ja duhet rishqyrtuar prezencën ushtarake në Kosovë.

“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me progresin e bërë historik, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha detyrat e vendosura ndaj Serbisë. Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, atëherë SHBA. duhet të rishqyrtojë praninë e saj atje”, ka shkruar Perdue. /Insajderi.com