Paralajmërimi i Thaçit për formimin e Qeverisë së re, Haki Abazi përmend Vjosa Osmanin

Paralajmërimi i Thaçit për formimin e Qeverisë së re, Haki Abazi përmend Vjosa Osmanin

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës Haki Abazi, ka reaguar pas paralajmërimeve të presidentit, Hashim Thaçi, se javën tjetër do të ndërmarrë hapat përfundimtar për formimin e Qeverisë së re.

Abazi ka thënë se Thaçi nuk mund të veprojë si mbret.

Madje,  përmes shkrimit të tij në Facebook, zëvendëskryeministri i shkarkuar nuk ka hezituar të flas edhe në emër të Vjosa Osmanit,  ndonëse kjo e fundit ka përsëritur disa herë që nuk do të lejojë askënd të flas në emër të saj.

Sipas tij, rrëzimi i Qeverisë Kurti dhe mos-respektimi i Vjosa Osmanit, kryeparlametares dhe njëherit nënkryetares së LDK-së paraqet përmbysjen e rendit demokratik.

Shkrimi i plotë:

Rrëzimi i qeverisë Kurti dhe mosrespektimi i Vjosa Osmanit si më e votuara në LDK në zgjedhjet e fundit, është përmbysje e rendit demokratik dhe shkelje e kushtetutës së Republikës Parlamentare.

Presidenti nuk mund të veprojë si mbret, ai edhe ashtu ka mungesë serioze të përfaqësimit të unitetit. Veprimet e tij janë antikushtetutese dhe jashtë interesit qytetarë e shtetëror.

Nuk mundet Thaçi të negociojë lirinë e tij me fatin e shtetit!

Jemi shumë,jemi bashkë, jemi në të drejtë dhe jemi të pathyeshëm në mbrojtjen e demokracisë, pavarësisë, territorit dhe kushtetutës së vendit.

Ndryshe, presidenti Thaçi në një status në Twitter, ka thënë javën tjetër do të ndërmarrë hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një Qeverie të re me një legjitimitet të plotë nga Parlamenti, i aftë për të luftuar # COVID19 dhe për t’i shërbyer popullit.

Ai gjithashtu ka theksuar se tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së për Kosovën.

Lexo edhe:

Paralajmëron Thaçi: Javën tjetër do i marr hapat për Qeverinë e re