Paralajmërohen “masa drastike” nëse Qeveria vendosë për mbyllje të bizneseve

Paralajmërohen “masa drastike” nëse Qeveria vendosë për mbyllje të bizneseve

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë ka paralajmëruar “masa drastike” nëse Qeveria merr masa të rrepta në të cilat hyjnë edhe mbylljet e bizneseve për të luftuar pandeminë COVID-19.

Në emisionin “SOT” në KTV, Hysen Sogojeva nga kjo odë, ka thënë se kjo organizatë s’do të lejojë që të ketë mbyllje totale të bizneseve, duke parë se ishin vetë partitë ato që nuk i respektuan masat anti-COVID gjatë fushatës zgjedhore.

Pra sipas tij, nuk e shohin të arsyeshme të respektojnë masat e qeverisë, nëse vetë ajo s’i ka respektuar.

“Veç fakti që kemi disa paralajmërime, jemi dakorduur si kryesi që në një farë forme, çfarëdo mase që merret ndaj lëtyre bizneseve, edhe ashtu të rënduara, s’do t’i përkrahim sepse në kohën kur është dashur t’i mbrojmë e kur ne kemi reaguar kundër fushatave të egra që s’i kanë përkrahë masat e vetë qeverisë, ne s’kemi arsye t’i njohim më këto masa”, ka thënë Sogojeva.

Ai ka porositur që çfarëdo mase që mendon të marrë pushteti duhet të konsultohet edhe me biznesin.

“Nëse merren masa drastike, edhe ne do të marrim masa drastike. S’përjashtojmë protesta”, ka paralajmëruar ai teksa ka shtuar se bizneset duhet të mbikëqyren e të dënohen nëse nuk i respektojnë masat, por të mos ketë mbyllje totale.

“Ne do t’i përkrahim masat që janë marrë. Por s’i përkrahim masat drastike. Nëse mbyll biznesin atëherë gjej alternativën si ta paguash e jo po e mbyll dhe nuk bën lehtësira”, ka shtuar Sogojeva teksa është ankuar se ndihma e shtetit për këtë sektor ka qenë minimale. /Insajderi.com