Paralajmërohen ndryshime tek Juventus pas finales së Championsit

Paralajmërohen ndryshime tek Juventus pas finales së Championsit

Massimiliano Allegri ka ngritur dyshime te Juventusi për të ardhmen e tij, edhe pse në publik ka konfirmuar qëndrimin në pankinën e kësaj skuadre.

Sipas asaj që publikohet në mediat italiane, pritet që tekniku livornez të nisë bisedimet me drejtuesit e “Zonjës së vjetër” për kontratën e re, ndërkohë që situata e tij ka filluar të monitorohet nga Paris Saint Germain.

Francezët janë gati t’i garantojnë Allegrit një kontratë me pagë 10 milionë euro në sezon, kur pretendimet e italianit ndaj Juventusit janë për një pagë prej 8 milionë eurosh. Por, Allegri i kërkon “Zonjës së vjetër” edhe garanci të tjera, që kanë të bëjnë me aspektin teknik.

Synimi është ndërhyrja në merkaton e transferimeve për të blerë 3-4 futbollistë cilësorë, për të arritur te triumfi në Champions League. Kampionët e Italisë e shohin si domosdoshmëri ardhjen e një qendërmbrojtësi, duke parë edhe moshën e Barzaglit e Chiellinit.

Në këtë pikë, Allegri do të kërkojë Marquinhos, gjithnjë nëse ai do të largohet nga Torino. Ndeshja me Realin e Madridit tregoi se edhe mesfusha duhet të përforcohet me të paktën dy elementë të rinj, ku Matiç dhe Schick janë ata që po përmenden më shumë, ndërkohë që ëndrra e bardhezinjve është Di Maria.

Por Juventusi rrezikon të humbasë edhe Leonardo Bonuccin, një prej futbollistëve më të rëndësishëm të tij. Vitin e kaluar, Bonucci kishte shprehur dëshirën për të ndryshuar ambient, diçka që mund të ndodhë gjatë kësaj vere.

Skuadrat e interesuara për të janë kryesisht nga Premier League, si Chelsea e Manchester City. Nëse ndonjëra prej tyre do të bëjë ndonjë ofertë të rëndësishme, atëherë italiani nuk do të ngurrojë që ta pranojë atë.