Paralajmërohet marrëveshje Shqipëri-Kosovë për diasporën

Paralajmërohet marrëveshje Shqipëri-Kosovë për diasporën

Gjatë seancës në Komisionin për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë për projektbuxhetin e Ministrisë së Shtetit për Diasporën për vitin 2018, ministri i Shtetit për Diasporën i Shqipërisë, Pandeli Majko, u ndal tek marrëveshjet që do të nënshkruhet me Kosovën dhe miratimin e buxhetit për krijimin e agjencisë së diasporës .

Duke folur për marrëveshjet bilaterale mes Shqipërisë dhe Kosovës, Majko, tha se shumë shpejt do të firmosen dy marrëveshje për diasporën.

“Jemi në procedim të firmosjes së dy marrëveshjeve bilaterale me Kosovën, të cilat do të vijnë për votim edhe në Kuvend. Shpresoj të firmosen nga dy kryeministrat(e Shqipërisë dhe Kosovës) në takimin që do të zhvillohet në datën 27 dhe 28 nëntor. Njëra është projekt ombrellë për të gjithë projektet që kanë të bëjnë me fushën e diasporës dhe të emigracionit, tjetra ka një rëndësi të veçantë, pasi ka të bëjë me qendrat e kulturës. Për qendrat e kulturës, qoftë Kosova, qoftë Shqipëria do të ndajnë pronësinë. Propozimi jonë karshi institucioneve të Kosovës është të ndajmë pronësinë 50 për qind me 50 për qind, po ashtu dhe shpenzimet në ruajtjen e identitetit të kulturës dhe të arsimit”, theksoi Majko.

Ndërsa duke folur për procesin e votimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, ministri Majko theksoi se një nga risitë e buxhetit është vendosja si zë i veçantë i Agjencisë së Diasporës dhe të Emigracionit që pritet të krijohet.

“Krijimi i kësaj agjencie ka një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi në thelb kjo agjenci do të kthehet në një memorie koordinatore e gjithë problematikës që ka të bëjë me diasporën dhe emigracionin, nga pikëpamja e teknikës dhe e administrimit. Kjo agjenci do të mbështete nga buxheti i shtetit për vitin 2018, me një fond total prej 17 milionë lekësh, është një fillim i mirë, pasi është tulla e parë, pasi hedhim një hap të rëndësishëm për krijimin e një marrëdhënie zyrtare midis shtetit dhe diasporës dhe emigracionit ”, u shpreh Majko.

Ai tha se procesi për garantimin e votës së emigrantëve në zgjedhje, duhet të realizohet me bashkëpunimin e forcave politike.