Partia që me një deputet mban 4 ministri dhe postin e zv/kryeministrit

Partia që me një deputet mban 4 ministri dhe postin e zv/kryeministrit

Aleancës Kosova e Re shumë shpejtë edhe zyrtarisht mund të mbetet me vetëm një deputet në Kuvendin e Kosovës nga dy sa kishte deri tash. Numër ky që është shumë më i vogël në krahasim me ministrit që udhëheq kjo parti.

Islam Pacolli që është i afërm i kryetarit të AKR-së Behgjet Pacolli, pritet të mbetet deputeti i vetëm i kësaj partie pasi që deputeti dhe këngëtari Labinot Tahiri ka paralajmëruar largimin nga AKR-ja për t’iu bashkuar partisë që udhëhiqet nga Albin Kurti, shkruan Insajderi.

Vetë Tahiri ditë më parë pranoi se po mendon largimin nga AKR-ja.

“Jam në negociata, duke diskutuar me disa miq prej VV-së. Çështja është që emri i Albinit s’përmendet askund për korrupsion, dhe unë jam person i pakorruptuar, dhe nuk dua ta kem një imazh të tillë në të ardhmen”, ka thënë Tahiri për Express.

Por përkundër se AKR-ja nuk po arrin t’i mbajë deputetët në parti, ky subjekt politik po arrin t’i mbajë postet e ministrave që janë shumë më shumë se deputetët që numëron AKR-ja. Menjëherë pas koalicionit me PDK-në, AAK-në dhe Nismën ishte larguar edhe Korab Sejdiu i cili tashmë bënë pjesë në grupin parlamentar të LDK-së.

Megjithatë AKR numëron katër ministra nga radhët e saj dhe postin e zv/kryeministrit në Qeverinë Haradinaj. Kryetari i partisë, Behgjet Pacolli mban postin e zv/kryeministrit dhe ministrit të jashtëm, Albena Reshitaj postin e ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Bejtush Gashi postin e ministrit të Brendshëm dhe ministri që është duke u përballur me drejtësinë, Valdrin Lluka në ministrinë e Zhvillimit Ekonomik./Insajderi.com