Partitë e kërkojnë mandatin nga Ivanovi

Partitë e kërkojnë mandatin nga Ivanovi

Partitë shqiptare, pjesë e shumicës parlamentare kërkojnë nga presidenti Ivanov që të heqë dorë nga siç thonë kokëfortësia e tij dhe të dorëzojë mandatin për formimin e Qeverisë. Nënkryetari i integristëve Nevzat Bejta tha se nuk ka asnjë pengesë tashmë që Ivanov të mos e dorëzojë mandatin.

Besoj se shumë shpejt kreu I parlamentit do ia jep mandatin mandatarit dhe do kemi qeveri reformuese e demokratike në vendin tonë. Nuk besoj që do ketë tensione më, tensionet mbaruan  sepse ajo që ndodhi në kuvend ishte një pasqyrë e shëmtuar dhe nuk besoj se gjëra të tilla do përsëriten më – tha Nevzat Bejta, nënkryetar i BDI-së.

Nga Lëvizja “Besa” kjo është mundësi ideale që kreu i shtetit me vepër konkrete të dëshmojë se është kryetar i të gjithë qytetarëve.

Sa i përket dhënies së mandatit të presidentit të shtetit, kjo është e paraparë qartë në Kushtetutë, dhe tani është momenti që presidenti i shtetit të tregoj se është president i qytetarëve dhe jo një president që është në ndikim të ndonjë partie politike – tha Blerim Sejdiu, Lëvizja Besa.

SyrijaRashidi nga Aleanca për shqiptarët tha se shpallja e vendimit për kryeparlamenarin në Gazet zyrtare është hap pozitiv, por sipas tij gjithçka mund të pritet nga presidenti Ivanov.

Sa i përket vendimit të kryetarit të shtetit lidhur me mandatin, kur bëhet fjalë për të, mendoj se gjithçka është e mundur dhe e pritshme. Ne jemi në pritje të nje reflektimi pozitiv përfundimisht që kryetari i shtetit të jap mandatin kësaj shumice parlamentare dhe të vazhdojnë proceset më tej – tha Syrija Rashidi, LR PDSH.

Në rast se Ivanov refuzon të dorëzojë mandatin, partitë nuk përjashtojnë mundësinë që shumica parlamentare vet të formojë Qeverinë e re. Një hap të tillë e kishte paralajmëruar edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi gjatë qëndrimit të tij në Bruksel.