Partitë në pushtet në Gjermani të mundur në Bavari

Partitë në pushtet në Gjermani të mundur në Bavari

Demokristianët dhe Socialdemokratët, të cilët në Gjermani, në nivelin federativ e përbëjnë qeverinë, sipas sondazheve të para kanë përjetuar disfatë të rënd në zgjedhjet krahinore të dielën në Bavari, lajmëron agjencia publike e lajmeve ARD.

Unioni Kristiano-Social (CSU), i cili në Bavari e përfaqëson opsionin demokristian, ka fituar 35,5 për qind të votave gjë që është rezultati më i dobët në 60 vjetët e fundit.

Në zgjedhjet e fundit krahinore para pesë viteve CSU e ka fituar shumicën absolute.

Partia Socialdemokrate (SPD) ka fituar sipas sondazheve të institutit Dimap, 10 për qind të votave gjë që është rezultati më i dobët për socialdemokratët prej përfundimit të Luftës së Dytë botërore.

Partia e dytë për nga fuqia është Partia e Gjelbër e cila me 18 për qind ka fituar gati dyfish më shumë vota sesa në zgjedhjet e fundit.

Partia populliste e djathtë Alternativa për Gjermaninë ka fituar 11 për qind të votave gjë që është më dobët prej asaj që është pritur.

Përafërsisht numër të njëjtë të votave ka fituar grupi Votuesit e Lirë.

Partia Liberale-Demokratiket (FDP) dhe Partia e Majtë, sipas sondazheve të para, nuk kanë arrit të hynë në parlamentin e Bavarisë.

Sipas analizave të para më i besueshëm është koalicioni në mes të CSU dhe Votuesve të Lirë të cilët sipas rezultateve kanë përparësi të ngushtë në parlament.

Disfata e demokristianëve në Bavari konsiderohet edhe goditje e rëndë për politikën e kancelares dhe kryetaren e Unionit Kristiano-demokrat (CDU) Angela Merkel./Insajderi.com.