Partitë politike ende nuk i kanë paguar borxhet

Partitë politike ende nuk i kanë paguar borxhet

Subjektet politike nuk mund të certifikohen për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor, pa i kryer borxhet që i detyrohen Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit.

Ndonëse mban shifrën më të lartë të borxhit prej 158 mijë eurosh, koalicioni PDK-AAK-Nisma ka paguar një pjesë të tij.

Mulë Desku nga Sekretariati i PZAP-it ka bërë të ditur për “Indeksonline” se nga 11 subjekte që i janë shqiptuar gjobat, vetëm koalicioni PAN ka paguar shumën prej 3 mijë e 700 euro.

“Subjektet politike të cilat janë gjobitur nga PZAP-i gjatë Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës se Kosovës të mbajtura me 11 qershor 2017 në bazë të vendimit të PZAP-it kanë pasur afat për t’i paguar këto gjoba brenda 15 dite nga pranimi i vendimit nga subjektet politike. Ndërsa deri më tani prej të gjitha subjekteve politike që kanë marrë pjesë në Zgjedhje dhe që janë dënuar me gjoba nga PZAP-i gjoba ka paguar vetëm Subjekti politik Koalicioni: PDK-AAK-NISMA, në shumë prej 3,700.00 euro prej 158.000.00 euro gjoba të shqiptuara nga PZAP-i”, ka sqaruar ai.

Ndryshe, pas koalicionit PAN, vlerën më të madhe të borxhit e mban koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 71 mijë e 700 euro, kurse pas saj qëndron Lëvizja Vetëvendosje me 62 mijë e 600 euro. Lista Serbe mban vendin e katërt, më 35 mijë e 600 euro borxh.