Partneri i Kadri Veselit i gatshëm ta hetojë SHIK-un

Partneri i Kadri Veselit i gatshëm ta hetojë SHIK-un

Lëvizja Vetëvendosje, po ankohet se nuk po mund t’i sigurojë 40 nënshkrimet e nevojshme për formimin e Komisionit Hetimor ndaj SHIK-ut.

Madje, po e akuzon Lidhjen Demokratike, deputetët e së cilës ende nuk kanë kthyer përgjigje, se a japin nënshkrimet për formimin e këtij Komisioni.

Por, partia e Albin Kurtit, ende nuk kanë kërkuar mbështetje nga deputetët e AAK-së, parti e cila është në koalicion me PDK-në e Kadri Veselit.

Teuta Haxhiu, deputete e kësaj partie, ka thënë për Insajderi se ende nuk kanë marrë kërkesë për mbledhjen e nënshkrimeve për këtë komision. Ajo ka thënë se përkundër që AAK është në koalicion me partinë e Kadri Veselit, ata janë të gatshëm që për ta ndihmuar hetimin e organizatës SHIK, që ishte udhëhequr pikërisht nga Veseli.

Madje, për të hetimi i SHIK-ut është shumë i mirë, për arsye si tha ajo të deklarimeve dhe dyshimeve që janë thënë për këtë organizatë.

“Po prapë do ta nënshkruaj. Nuk ka kuptim që nëse e kemi nënshkruar sa ishim në opozitë, mos ta bëjmë tani kur jemi në koalicion me ta. Por, unë dhe asnjë deputetë i AAK-së, ende nuk kemi marrur ndonjë kërkesë zyrtare nga Vetëvendosje. Hetimi i SHIK-ut dhe çdo gjëje që ka dyshime në të është shumë i mirë. Mendoj që do të ndaleshin dyshimet dhe deklarimet që janë thënë tash e një kohë për këtë organizatë”, ka thënë Haxhiu.

Edhe në mandatin e kaluar 11 deputetët e AAK-së, përfshirë edhe Ramush Haradinajn kishin nënshkruar kërkesën për formimin e Komisionit Hetimor për SHIK-un, por që formimi i tij kishte dështuar për shkak të mos sigurimit të 40 nënshkrimeve të nevojshme./Insajderi.com