Pas 30 ditë agjërim myslimanet sot festojnë Fitër Bajramin

Pas 30 ditë agjërim myslimanet sot festojnë Fitër Bajramin

Pas 30 ditë të agjërimit, besimtarët myslimanë sot festojnë Fitër Bajramin. Si në gjithë botën, edhe në Kosovë ceremonia e festimit të kësaj feste myslimane nisi me faljen e namazit të mëngjesit.

Manifestimi kryesor është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku është mbajtur ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, ndërsa, pas saj, namazi i Bajramit, të cilit i priu sekretari i përgjithshëm i BIK-ut, Resul Rexhepi.

Kurse, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, duke iu drejtuar opinionit të gjerë me mesazh për këtë festë, tha se festa është për të na kujtuar rolin tonë karshi njëri-tjetrin dhe për dëftuar rrugën drejt përsosmërisë humane.

Tërnava tha se sot kujtohen prijësit shquar të Lidhjes së Prizrenit, të cilët në rrethana të jashtëzakonshme, arritën të organizojnë mbajtjen e kuvendit të Lidhjes, për t’iu bërë me dije se shqiptarët nuk do të pranojnë marrëveshje të kujtdo qofshin ato që qojnë në copëtimin e trojeve shqiptare.

Ai i bëri thirrje qytetarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve që të marrin shkas festat tona fetare dhe kombëtare për t’u angazhuar për interesin shoqëror të vendit.

“Duke lutur Zotin që ta bëjë këtë festë gëzim për ju dhe familjet e juaja, ju thërras të gjithëve, popull dhe institucione, që të marrin shkas festat tona fetare dhe kombëtare për t’u angazhuar për interesin shoqëror të vendit, për të mirën e përbashkët, duke shfrytëzuar momente sikur këto, bashkimi drejt qëllimeve fisnike bëhet më i lehtë dhe më i fort. Kështu mund të marshojmë drejt qëllimeve tona shoqërore dhe shtetërore. Zotin na e pastë pranuar agjërimin dhe adhurimet tona, edhe një herë urime festa e Fiter Bajramit“, tha Tërnava.

Në këtë manifestim u dha mesazhi që të gjithë besimtarët të jenë të mirë e të mëshirshëm edhe në muajt tjerë siç ishin në muajin e ramazanit, duke u distancuar nga rrugët e liga.