Pas Britanisë, ja shtetet e vogla të Europës që po përgatiten për Brexit

Pas Britanisë, ja shtetet e vogla të Europës që po përgatiten për Brexit

Irlanda, Holanda dhe Belgjika, më të ekspozuarat. Rreth 3,400 kamionë transportohen çdo ditë nëpërmjet portit të Roterdamit dhe Britanisë. Ata mbajnë rreth 54 milionë tonë mallra që tregtohen çdo vit midis Holandës dhe Britanisë. Ecuria që do të marrë Brexit nuk është bërë ende e qartë në Parlamentin britanik.

Në rast se Britania nuk do të jetë më pjesë e tregut të vetëm të BE-së dhe e Bashkimit Doganor, tregtia do të bëhet më pak e qëndrueshme, shkruan The Economist.

Shoferët e kamionëve mund të përballen me pengesa të shumta, për shembull, ata duhet të sigurohen që ngarkesa që po transportojnë të shoqërohet me dokumentet përkatëse, ose në të kundërt, ata mund të kthehen mbrapsht në port. Disa produkte britanike, si bagëtitë, mund të duhet që të inspektohen nga persona të caktuar të BE-së pas hyrjes në tregun e vetëm. Vonesat në kufi apo kthesat mbrapsht të kamionëve mund të shkatërrojnë produkte të caktuara sidomos nëse ato janë delikate si në rastin e luleve.

Matthijs Mesken nga VGB, e cila përfaqëson eksportuesit dhe tregtarët holandezë me shumicë, shprehet se vlera e luleve dhe bimëve që transportohen çdo vit në Britani nga Holanda është rreth 825 milionë euro (930 milionë dollarë). Çështja e Brexit është një prej faktorëve kryesorë që ndikon në “rritjen e pasigurisë”, e cila sipas fjalëve të kreut të Bankës Qendrore Europiane (BQE), Mario Draghi, ka mbuluar me një re të zezë horizontin ekonomik të Eurozonës.

Në një studim të vitit 2018 të kryer nga FMN-ja u zbulua se ekonomia e Britanisë vazhdon të ketë lidhje të forta me pjesën tjetër të BE-së, të cilat fillimisht u forcuan shumë kryesisht pas krizës financiare të 2007-‘08. Nëse këto lidhje do të prishen, efektet më të rënda padyshim do të ndihen në Britani. Por Britania nuk do të jetë e vetmja që do të ketë pasoja nga dalja e saj nga BE-ja.

Edhe disa prej ekonomive të vogla të Europës janë të rrezikuara. Disa prej shteteve me lidhje të ngushta tregtare me Britaninë përfshijnë Belgjikën, Irlandën dhe Holandën. Sipas FMN-së, eksportet e mallrave dhe shërbimeve të Irlandës në Britani përbënë rreth 15% të PBB-së së saj në periudhën 2014-‘16, ndërsa ato të Belgjikës dhe Holandës afërisht në 10% të PBB-së. Secili prej këtyre shteteve mbështetet shumë në importet që vijnë nga Britania.