
Teksa Vjosa Osmani, kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK, ka disa ditë që nuk është paraqitur në publik në kohën më të rëndësishme të bisedimeve për koalicionin qeverisës, njëri nga anëtarët e grupit të saj brenda partisë, Lumir Abdixhiku, është shprehur në lidhje me ngecjen e negociatave ndërmjet LDK-së dhe VV-së.
Abdixhiku i ka cilësuar “ofendime” mes LDK-së dhe VV-së deklaratat e përfaqësuesve të të dyja partive politike në studiot televizive.
“Marrëveshjet e mosmarrveshjet mes partnerëve – po qenë e po u panë si të tillë njëmend – zgjidhen mes vete, sy më sy, e jo me ofendime nëpër studio televizive”, ka shkruar ai në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook, në internet.
“Deklarata të pamatura dhe pa kohë e vendosin mundësinë e bashkëpunimit disa hapa prapa. Ndoshta dhe ky është qëllimi”, është shprehur Abdixhiku.
Ai ka thënë se “propagandë për propagandë jemi ngopur mjaftë. Por nëse e kanë njëmend, me respekt ndaj njëri tjetrit e me respekt ndaj vullnetit qytetar, këtu jemi. Plot 28 deputetë të 206 mijë votuesve kosovarë”.