Pas Hungarisë, Rumania në hall me emigrantët kosovarë

Dy kosovarë janë arrestuar të martën nga policia kufitare rumune, në kufirin mes Serbisë dhe Rumanisë, pasi tentonin të kalojnë ilegalisht përmes shtetit rumun në vendet e Evropës Përendimore.

Pas Hungarisë, Rumania në hall me emigrantët kosovarë

Siç njofton televizioni rumun “Stirile Pro TV”, rreth 20 njerëz janë arrestuar në kufirin e Serbisë me Rumaninë, në tentativë për të kaluar në perëndim të Evropës, raporton Gazeta Online Insajderi.

Prej tyre, dy ishin identifikuar si kosovarë, ndërsa të tjerët thuhet të jenë emigrantë nga shtetet e Lindjes së Mesme, kryesisht qytetarë irakianë dhe sirianë.

“Të martën, para drekës, policia kufitare në Caras Severin ndaloi dy meshkuj nga Kosova. Ata do të kthehen prapa në Serbi”, thotë televizioni rumun “Stirile Pro TV”.

Pas Hungarisë, kosovarët gjejnë një rrugë tjetër drejt Evropës

Insajderi ka njoftuar dy ditë më parë, se edhe rreth 30 kosovarë ishin zënë derisa tentonin të kalonin kufirin ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, gjatë muajit të kaluar.

Drejtori i policisë kufitare në Rumani, në një intervistë dhënë medieve rumune ka thënë se shteti rumun do të bëjë çmos për ndalimin e një vale emigrantësh, si të asaj që pati Hungaria dy vitet e fundit.

“Para se të bëjmë edhe ne një gardh, do të ishte mirë që t’i tregojmë ballkanasve që rruga drejt Evropës përmes Rumanisë nuk do të jetë e njëjtë sikur ajo e Hungarisë”, ka thënë ai, teksa ka prezantuar një alarm për vendin: emigrantët.

Në fakt, rumunët po i frikësohen më shumë faktit se trafikantët e emigrantëve do t’ia mësyjnë Rumanisë si vend ku do t’i drejtojnë emigrantët, pasi Hungaria i ka mbyllur rrugët e saja në secilën formë. /Insajderi.com